Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka reaguar ndaj disa njoftimeve që po qarkullojnë në opinion lidhur me punësimet në Spitalin Klinik të Tetovës, të cilat ai i cilësoi si “të papërshtatshme dhe të dëmshme për publikun e gjerë”.
Aliu theksoi se të gjithë punonjësit kanë kontrata pune të vlefshme me kohë të caktuar deri më 31 dhjetor 2025, duke hedhur poshtë pretendimet se procedurat janë të pasigurta apo të pavlefshme.
“Sipas procedurave ligjore, është siguruar edhe pëlqimi nga Ministria e Financave për punësimet në Spitalin Klinik të Tetovës. Në shtojcë kemi një shembull të dokumentit që dëshmon qartë se pretendimi për përgjigje negative nga Fondi për Sigurim Shëndetësor është i pavërtetë”, theksoi ministri.
Ai sqaroi se konkurset për punësim janë shpallur dhe testimet e kandidatëve janë kryer më 7 gusht 2025, “e jo ‘para 10 ditësh’ siç është thënë në mënyrë sensacionaliste”.
Ministri Aliu bëri të ditur se procedura e punësimeve është pezulluar vetëm për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe se, menjëherë pas përfundimit të tyre, procesi do të vazhdojë deri në marrjen e vendimeve për të gjithë kandidatët.
“Me njoftime të pabazuara dhe duke përdorur informacione të rreme, po i shkaktohet dëm Ministrisë së Shëndetësisë si institucion dhe po krijohet panik te punonjësit e Spitalit Klinik të Tetovës, të cilët ditë e natë kujdesen për shëndetin e qytetarëve”, deklaroi Aliu.