Carlo Ancelotti është pyetur se cilët nga lojtarët e Real Madridit mund të bëhen trajnerë të mirë në të ardhmen.

Trajneri i Real Madridit doli para shtypit pasi klubi i tij festoi titullin spanjoll javën e kaluar dhe siguroi finalen e Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmund më 1 qershor në Londër.

Eksperti italian theksoi se do të kombinojë skuadrën në ndeshjet e mbetura të kampionatit vendas për të përgatitur skuadrën për finalen e Ligës së Kampionëve.

“Qëllimi është ta shohim finalen të kompletuar. Lojtarët që janë kthyer së fundmi dhe kanë nevojë për minuta, si Courtois dhe Militao, do t’i marrin ato minuta”, deklaroi Ancelotti.

Në fund të konferencës për shtyp, një nga gazetarët spanjollë e pyeti Ancelottin se cilët nga lojtarët e tij mund të punonin si trajner pas karrierës së tyre.

“Disa lojtarë kanë cilësitë që janë të nevojshme për një punë trajneri. Duke marrë parasysh se sa e vështirë është të jesh trajner sot, ka shumë lojtarë që nuk duan sepse ka shumë presion dhe përgjegjësi”.

“Carvajal, Nacho, Ceballos, Kroos, Modric… Të gjithë ata mund të jenë trajnerë”, shtoi më tej Ancelotti.