Një anketë e realizuar nga Qendra për Kërkime dhe Komunikim Politik (CRPC) tregon se gara për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, edhe pse mbetet e ngushtë, po anon lehtë në favor të kandidatit të pavarur Zulhajrat Demiri, i mbështetur nga VLEN dhe krahu i ASH-së së Ziadin Selës.
Në pyetjen:
“Për kë do të kishit votuar më 11 janar, pra për cilin kandidat për kryetar të Komunës së Vrapçishtit?”, të anketuarit janë përgjigjur si më poshtë:
Zulhajrat Demiri – 38,1%
Isen Shabani (AKI) – 36,4%
Të pavendosur / pa përgjigje – 25,5%
Rezultatet dëshmojnë një garë të hapur, por me një epërsi të lehtë të Demirit, ndërkohë që përqindja e lartë e të pavendosurve tregon se elektorati mbetet i ndjeshëm ndaj mesazhit për ndryshim dhe qeverisje më të mirë lokale.
Qeverisje e dobët, pakënaqësi e theksuar e qytetarëve
Në pyetjen:
“A mendoni se Komuna e Vrapçishtit është qeverisur mirë gjatë mandatit të kaluar?”, qytetarët janë shprehur kështu:
Shumë mirë – 13,9%
Mirë – 17,3%
Dobët – 23,3%
Shumë dobët – 30,7%
Ashtu-kështu / pa mendim – 14,8%
Këto të dhëna tregojnë qartë se mbi gjysmën e qytetarëve (54%) e vlerësojnë qeverisjen komunale si të dobët ose shumë të dobët, një tregues i fortë i menaxhimit joefikas dhe mungesës së rezultateve konkrete gjatë mandatit të kaluar.
Kjo pakënaqësi shpjegon edhe gatishmërinë e qytetarëve për të mbështetur alternativa të reja politike, të cilat ofrojnë ndryshim real dhe qasje më serioze ndaj problemeve lokale.
Problemet kryesore që rëndojnë jetën e banorëve
Në pyetjen:
“Cili është problemi më i madh me të cilin përballet Komuna e Vrapçishtit?”, qytetarët kanë renditur shqetësimet e tyre kryesore:
Uji i pijshëm dhe kanalizimet – 44,7%
Migrimi – 23,8%
Infrastruktura rrugore – 8,7%
Papastërtia dhe mirëmbajtja – 6,6%
Ndriçimi publik – 4,5%
Tjetër – 11,7%
Dominimi i problemeve bazike si uji i pijshëm dhe kanalizimet tregon se komuna ka dështuar të adresojë nevojat elementare të qytetarëve, duke e bërë edhe më të fortë kërkesën për ndryshim në udhëheqje dhe prioritete të reja zhvillimore.
Metodologjia e anketës
Anketa është realizuar në terren, ballë për ballë me qytetarë të rastësishëm, në periudhën 04–06 janar 2026, në të gjitha vendbanimet e Komunës së Vrapçishtit.
Janë anketuar gjithsej 397 qytetarë, ndërsa marzhi i gabimit është ±3%.
Përfundim:
Të dhënat e anketës konfirmojnë një realitet të qartë politik në Vrapçisht: pakënaqësi e thellë ndaj qeverisjes aktuale dhe një mundësi reale për ndryshim, me qytetarët që kërkojnë përgjegjësi, zgjidhje konkrete dhe një drejtim të ri për komunën.




