Një anketë e zhvilluar në platformën e portalit Fol.mk, lidhur me zgjedhjet lokale në Gostivar, tregon mbështetje të dukshme të qytetarëve për rikthimin e Nevzat Bejtës në garën për kryetar komune.
Në pyetjen: “A mendoni se Nevzat Bejta duhet të rikthehet në garë për kryetar të komunës së Gostivarit më 11 janar?”, nga gjithsej 1.674 lexues që kanë marrë pjesë në anketë, 75.6 për qind janë shprehur pozitivisht për rikthimin e Bejtës, ndërsa 24.6 për qind mendojnë se ai nuk duhet të rikthehet në garë.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale në Gostivar dështuan për shkak të mosarritjes së censusit të nevojshëm prej një të tretës së votuesve, çka ka bërë që procesi zgjedhor të përsëritet më 11 janar.
Sipas vlerësimeve politike, dështimi i zgjedhjeve nuk lidhet vetëm me daljen e ulët në votime, por mund t’i faturohet edhe performancës së dobët të qeverisjes së Arben Taravarit, respektivisht Valbon Limanit, gjatë mandatit të dytë në krye të komunës. Kritikat kryesore kanë të bëjnë me menaxhimin e dobët institucional dhe borxhin e madh të krijuar në Komunën e Gostivarit.
Në këtë kontekst, kandidimi eventual i Nevzat Bejtës, me mbështetjen e koalicionit VLEN, shihet si një mundësi reale për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Bejta ka qenë dy mandate kryetar i Komunës së Gostivarit dhe konsiderohet si një figurë me përvojë të mjaftueshme për të menaxhuar sfidat e qytetit.
Nga ana tjetër, Arben Taravari, i cili fillimisht u pa si shpresë për ndryshim në Gostivar, kohëve të fundit është kritikuar për lëvizje të shpeshta politike dhe për menaxhim jo të qëndrueshëm të komunës, çka për shumë qytetarë paraqet motiv shtesë për një rikthim të fuqishëm të Bejtës në krye të Gostivarit.
Sido që të jetë, 11 janari do të jetë data përcaktuese, ku qytetarët e Gostivarit do të vendosin se kush do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.


