Sektori i biznesit në Maqedoninë e Veriut po mundohet të kalojë krizën aktuale të mungesës së fuqisë punëtore duke organizuar panaire punësimi. Kompanitë theksojnë se është shumë më e vështirë të gjesh punëtorë sot, pasi kohët kanë ndryshuar – tani punëtorët janë ata që zgjedhin kompanitë, dhe jo e kundërta, siç ishte më parë.

Disa prej tyre nënvizojnë se problemi nuk është vetëm gjetja e punëtorëve, por edhe mbajtja e tyre.

Sonja Atanasovska, specialistë për burime njerëzore, shprehet:

“Ne mund të themi se aktualisht po arrijmë të gjejmë punonjës. Megjithatë, është shumë e vështirë t’i mbajmë, sepse kohët janë ndryshuar. Tani, gjithnjë e më shumë, punonjësit janë ata që zgjedhin kompanitë, jo si më parë kur kompanitë zgjidhnin punonjësit. Kompanitë po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme se duhet të investojnë në punonjësit e tyre dhe t’u ofrojnë më shumë përfitime për t’i mbajtur, sepse konkurrenca është e madhe me paga konkurruese dhe kompani. Realiteti ka ndryshuar nga pesë deri dhjetë vjet më parë. Si kompani, ne përpiqemi t’u sigurojmë punonjësve tanë kushte të sigurta pune, pagat mujore të rregullta, respektimin e rregulloreve ligjore dhe pagesën e punës së natës dhe festave, nëse ata punojnë.”

Punonjësit pohojnë se janë të kënaqur me kushtet që ofrojnë kompanitë, por jo me pagat. Disa shprehen:

“Jam i kënaqur me kushtet që ofrohen, por pagat nuk janë siç duhet.”
“Pagat janë kështu dhe ashtu, nuk janë perfekt, por janë okej.”
“Pagë minimale është 22,000, por është pak, nuk jam i kënaqur.”

Sipas të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave, në Maqedoni ka 10,000 vende të lira pune. Më shumë punëtorë kërkohen në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe në industrinë përpunuese. Disa pronarë biznesesh po provojnë të plotësojnë boshllëqet në tregun e punës përmes importit të forcës punëtore, por kjo masë po jep gjithnjë e më pak rezultate, pasi shumë punonjës nga Nepali dhe Bangladeshi largohen shpejt për në vendet e Evropës Perëndimore.