8 C
Tetovo
E premte, 20 Qershor, 2025
BallinaKulturëAnsambli Muzikor në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tetovë do të shënojnë...

Ansambli Muzikor në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tetovë do të shënojnë Festën e Muzikës

Të shtunën (21 qershor) me fillim nga ora 19:00, I.N Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut në Tetovë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tetovë, organizojnë koncertin e muzikës bashkëkohore, shkruan Portalb.mk.

Blerim Qamili, Drejtori i Ansamblit Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut në Tetovë, për Portalb.mk tha se programi i këtij koncerti do të jetë i larmishëm dhe përfshin stile të ndryshme të muzikës bashkëkohore.

“Koncerti i muzikës bashkëkohore do të sjellë një përzierje zhanresh moderne si pop, jazz dhe pop-rock. Këtë vit, kemi vendosur që koncerti të mbahet më 21 qershor, në kuadër të Festës Ndërkombëtare të Muzikës (Fête de la Musique). Festa e Muzikës, është një ngjarje kulturore ndërkombëtare që zhvillohet çdo vit më 21 qershor, në ditën më të gjatë të vitit-solsticin e verës. Ajo u krijua në Francë në vitin 1982, me nismën e ish-ministrit të Kulturës Jack Lang dhe muzikologut Maurice Fleuret, me idenë: “Muzikë kudo, jo koncerte zyrtare”. Skena do të jetë e freskët dhe dinamike, me artistë të rinj të përzgjedhur me kujdes, të cilët sjellin karaktere dhe stile të reja në mënyra të veçanta dhe krijuese”, tha Qamili.

Ai edhe më tej shtoi se ky koncert është i hapur për të gjithë.

“Koncerti do të mbahet në ambient të hapur-open air-përpara Pallatit të Kulturës, dhe do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm. Ftesa është publike, dhe ne presim pjesëmarrje edhe nga qytetet e tjera, pasi në këtë koncert marrin pjesë edhe artistë profesionistë nga Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Kërçova”, tha Qamili.

Qamili gjithashtu potencoi se përveç këtij koncerti “IN”, Ansambli Muzikor në Tetovë ka planifikuar edhe katër koncerte të tjera në vazhdim.

“Përveç këtij koncerti “IN”, Ansambli Muzikor në Tetovë ka planifikuar edhe katër koncerte të tjera, të cilat parashihen të mbahen në muajt shtator, tetor dhe nëntor.

Ndër to do të përfshihet:

Koncerti për violinë, piano dhe orkestër
Koncerti për flaut, kitarë dhe violë, ku do të interpretohen vepra nga A. Vivaldi, C.P.E. Bach dhe G.P. Telemann
Koncerti me muzikë korale maqedonase
Dhe, në fund, koncerti festiv me rastin e Festave të Nëntorit, i cili do të jetë një organizim i veçantë me pjesëmarrjen e një numri të madh muzikantësh dhe solistësh”, tha Qamili.

Mimoza Ceka, Drejtoreshë e Aleancës Franceze në Tetovë, për Portalb.mk tha se qëllimi i tyre është që nëpërmjet këtij koncerti të sjellin një atmosferë të gjallë dhe bashkëkohore, që bashkon emocionin artistik me mesazhin e bashkëjetesës kulturore.

“Përmes këtij koncerti kemi synuar të sjellim një atmosferë të gjallë dhe bashkëkohore, që bashkon emocionin artistik me mesazhin e bashkëjetesës kulturore. Fête de la Musique është një festë që e vendos muzikën në shërbim të afërsisë mes njerëzve, dhe këtë vit, për herë të parë, kemi kënaqësinë të realizojmë një bashkëpunim të frytshëm me IN Ansamblin Muzikor në Tetovë, çka i jep mbrëmjes një nivel të ri profesional. Përmes këtij aktiviteti, duam të nxjerrim në pah pasurinë tonë kulturore të përbashkët, duke përfshirë artistë nga komunitete të ndryshme-shqiptarë, maqedonas, turq-dhe të ofrojmë një skenë ku muzika, vallja dhe performanca janë gjuhë të përbashkëta pa kufij”, tha Ceka.

Ajo edhe më tej shtoi se ky koncert është një mënyrë për të inkurajuar talentet lokale dhe për t’i dhënë atyre zë e hapësirë publike.

“Programi është i ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë është një hapësirë e hapur për artistë amatorë-të rinj dhe të reja me pasion për muzikën, që do të sjellin interpretime të lira dhe krijuese në një atmosferë miqësore, për ta bërë muzikën të qasshme për të gjithë. Është një mënyrë për të inkurajuar talentet lokale dhe për t’i dhënë atyre zë e hapësirë publike.

Pjesa e dytë do të kulmojë me koncertin e IN Ansamblit Muzikor të Tetovës, nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur: Elita Ziberi, Saranda Alia, Tamara Angelovska, Agnesa Çavolli, Shpetim Mustafa, Leutrim Zejnullai, Arianit Ramadani dhe Mentor Berisha”, tha Ceka.

Ceka edhe më tej shtoi se koncertin do ta begatojnë edhe ansamblet pjesmarrëse ku do të prezantohen më një program të pasur kulturor.

“Koncerti do të përfshijë edhe performancat e grupeve valltare, të cilat do të sjellin ritmin dhe ngjyrat e kulturave tona përmes valleve tradicionale:

SHKA “Branko Čajka”-Tetovë (komuniteti maqedonas)
SHKA “Yeni Hayat”-Tetovë (komuniteti turk)
Grupi valltar nga SHKASH “Xheladin Zeqiri”-Tetovë (komuniteti shqiptar)
Ky program i shumëllojshëm është konceptuar për të reflektuar bashkëjetesën kulturore në qytetin tonë dhe për të festuar muzikën si një mjet bashkimi, frymëzimi dhe mirëkuptimi mes komuniteteve. Fête de la Musique është më shumë se një koncert-është një reflektim i harmonisë që mund të krijojmë kur bashkohemi përmes artit”, tha Ceka.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments