Zv.kryeministri për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë, Arben Fetai, ka reaguar ndaj sulmeve të deputetit të së MAJTËS Dimitar Apasiev. Më poshtë e gjeni deklaratën e plotë të tij:
“Deputeti Apasiev sërish paska thënë për mua se jam “spiun i Kurtit”. Kur të sulmon dikush si Apasievi, pa dyshim je në rrugën e duhur. Megjithatë dua shkurt të sqaroj disa gjëra.
E para, standardi ynë politik është transparenca me publikun dhe me partnerët, dhe Kosova është vend partner. Spiunët u përkasin filmave të kohës së komunizmit, me të cilat Apasievi ende jeton.
E dyta, është nder të konsiderohem i afërt me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Kurti në rajonin tonë, simbolizon rrëzimin e qeverisjeve të korruptuara me votë dhe legjitimitet popullor. Kontributin tim në Vetëvendosje, Apasievi e ka mësuar nga CV-ja ime e dorëzuar në Kuvend si kandidat i propozuar për Zëvendës Kryeministër për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë. Nuk ka asgjë për të fshehur aty, përkundrazi është përvojë që më ka formësuar politikisht dhe pjesë e së kaluarës sime, me të cilën mburrem. Angazhimin tim në Vetëvendosje! e kam shkëputur në vitin 2018, kur kam marrë përgjegjësi në Aleancën për Shqiptarët.
Dhe e treta, jam i sigurt se Kosova nuk ka pasur asnjëherë Kryeministër dhe Qeveri më të mirë, dhe kësaj pune do t’ia shohë hajrin i gjithë rajoni. Kur fqinjët përparojnë me demokraci, kjo ndikon mirë edhe te ne. Ashtu si përmirësimet që do t’i sjellim ne në Maqedoninë e Veriut, ato do të reflektojnë pozitivisht edhe te fqinjët tanë.
Kosova nën drejtimin e Kryeministrin Kurti ka shënuar rritje të konsiderueshme në të gjitha parametrat e demokracisë, shtetit të së drejtës, fjalës së lirë sipas matjeve të institucioneve me renome ndërkombëtare dhe se kurrë nuk ka shprehur qëndrime armiqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, përkundrazi.
Unë si Zëvendës Kryeministër dhe ne si VLEN, do të jemi çdoherë pranë Qeverisë së Kosovës, si partnerë dhe aleatë. Sigurisht, edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe shtetesisë së Republikës së Kosovës, të cilën nuk mund ta prekë dot asnjë “mik” i Apasievit.” – citohet në reagimin publik Arben Fetai.