Policia e Shqipërisë njoftoi se janë arrestuar pesë shtetas të Kosovës pasi janë kapur me barna që bëjnë përgatitjen e lëndëve narkotike. Janë sekuestruar 1.057.840 tableta, 300.000 euro kesh dhe gjashtë celularë.
Njëri prej të dyshuarve s’i kishte deklaruar ato në pikëkalimin kufitar në Rinas.
Të arrestuarit janë B.Z., 45-vjeçar, F.Z., 34-vjeçar, A.I., 23-vjeçar, A.G., 20-vjeçar dhe A.M. 21-vjeçar.
Autoritetet policore thanë se sipas hetimeve, të arrestuarit i kanë blerë barnat në Jordani dhe synonin t’i futnin në Shqipëri.
“Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi. Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani”, thuhet në komunikatën policore.