8 C
Tetovo
E premte, 18 Korrik, 2025
BallinaLajmeMaqedoniAta u shitën, por Aleanca nuk u dorëzua: Kauza jeton përtej Selës...

Ata u shitën, por Aleanca nuk u dorëzua: Kauza jeton përtej Selës dhe Taravarit!

Nga momenti kur Aleanca për Shqiptarët u themelua si një revoltë ndaj sistemit të korruptuar dhe arrogancës politike të BDI-së, ajo përfaqësonte shpresën për një alternativë shqiptare ndryshe, një politikë që i shërben qytetarit dhe jo klanit. Por sot, ajo që dikur ishte një lëvizje e pastër politike, është kthyer në një mozaik interesash personale, ku dy krahët kryesorë ,Ziadin Sela dhe Arben Taravari janë përfundimisht të ulur në prehrin e Ali Ahmetit.

Në një situatë ku ende nuk ka një epilog gjyqësor për çështjen e vulave të partisë dhe se kush ka të drejtën legjitime mbi emrin dhe identitetin e saj, Ziadin Sela, tashmë si pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, po përgatitet për të hyrë në zgjedhje, ndoshta edhe si kandidat në Strugë. Por me çfarë flamuri? Nën logon e BDI-së? Apo do të presë “zemërgjerësinë” e Taravarit që, si posedues aktual i vulës, t’ia nënshkruajë kandidaturën?

Ironia është e dhimbshme: Sela dhe Taravari, të cilët dikur ndërtuan Aleancën si një uragan kundër kapjes së shtetit nga BDI, sot janë kthyer në satelitë të saj , njëri duke u strukur në listat e Frontit, tjetri duke u rreshtuar përkrah BDI-së në opozitë, si partner i heshtur në projektin për “bashkimin kombëtar në opozitë”. Brenda një viti, të dy e përdorën Aleancën si trampolinë për të kërcyer në prehrin e atij që e luftonin me fjalë, por që sot e përqafojnë me vepra.

Por për fat të mirë, historia e kësaj partie nuk përfundon me dy emra. Sepse ka një pjesë tjetër, një shtresë e thellë strukturash dhe individësh nëpër degë e nëndegë, që nuk u nënshtruan, nuk u shantazhuan dhe nuk u shitën. Ata nuk pranuan të bëhen dekor për rehatinë e Ali Ahmetit, nuk u tunduan nga listat, pazaret e as ofertat për poste. Janë pikërisht këta njerëz që po e mbajnë gjallë frymën e vërtetë të Aleancës për Shqiptarët atë frymë që ishte ndërtuar për të qenë antipod i BDI-së, jo për t’u tretur në të.

Sot, në horizont po shfaqet një Aleancë që nuk është më e Selës as e Taravarit, por e qytetarëve që nuk e harrojnë pse nisi kjo lëvizje. Një Aleancë që nuk kërkon t’u bëjë fresk të vjetërve, por të sjellë të rinj në skenë. Një Aleancë që nuk bëhet patericë e klaneve të vjetra, por opozitë e pamëshirshme ndaj tyre. Një Aleancë që nuk e sheh reformën si retorikë, por si betejë të përditshme për dinjitetin e shqiptarëve në këtë shtet.

Në fund të ditës, historia do të bëjë ndarjen mes atyre që e përdorën partinë për karrierë dhe atyre që e mbrojtën për ideal. Dhe zgjedhjet që vijnë do të jenë prova se kush do të shpërblehet, konvertitët e Ahmetit apo ata që nuk u dorëzuan?

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments