Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, njoftoi se ka përfunduar me sukses procedura e tenderimit për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë.
Sipas saj, pas mbylljes së tenderimit është realizuar edhe procesi i evaluimit nga ana e institucionit përkatës, ndërsa tashmë pritet përgjigjja përfundimtare nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila financon një pjesë të projektit përmes kredisë.
Zekolli Shaqiri theksoi se projekti financohet përmes një kombinimi granti dhe kredie, ndërsa i gjithë dokumentacioni i nevojshëm është dorëzuar në zyrat e BERZH-it për shqyrtim.
“Presim sinjal pozitiv. Besoj se nuk do të ketë asnjë problem apo vërejtje nga ana e tyre. Sapo të marrim përgjigje pozitive, shumë shpejt do të dalim në terren për fillimin e punimeve”, deklaroi ajo.
Fillimi i punimeve për këtë segment të rëndësishëm rrugor pritet të ndodhë menjëherë pas miratimit përfundimtar nga institucioni financiar, duke i hapur rrugë realizimit të një prej projekteve kyçe infrastrukturore në vend.

