Sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar nëpër Gazë, duke vrarë rreth 28 palestinezë vetëm gjatë natës. Palestinezët thonë se sulmet ajrore izraelite kanë zbarkuar në spitale, shkolla dhe xhami dhe kanë shkatërruar zona të gjera lagjesh banimi.
Ushtria izraelite thotë se synimi i tyre i vetëm është të shkatërrojë Hamasin. Ajo ka bombarduar rezidencën e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Hanijeh në Rripin e Gazës. Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes izraelite thanë se shtëpia e Hanijehut, u përdor si një pikë takimi për komplotimin e sulmeve kundër Izraelit.
Ndërkaq, në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën e parë që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas, duke bërë thirrje për “pauzë humanitare urgjente dhe të zgjatur” në Gaza për të trajtuar krizën e përshkallëzuar për civilët palestinezë gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore të Izraelit. Votimi në këshillin prej 15 anëtarësh ishte 12 “pro” dhe asnjë “kundër”, me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusinë që abstenuan.
“Kjo rezolutë është absolutisht e nevojshme. Edhe pse Mbretëria e Bashkuar pendohet që rezoluta e parë e miratuar nga ky Këshill për këtë çështje nuk mund të dënonte qartë sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit, barbaria e këtyre sulmeve duhet të jetë e qartë për të gjithë ne. Kjo është arsyeja pse ne kemi abstenuar sot. Por, më lejoni të jem absolutisht i qartë: ishte jetike dhe e vonuar që këshilli të fliste mbi këtë krizë dhe ne mbështesim fuqimisht qëllimin e rezolutës për të marrë ndihmë dhe për t’i liruar pengjet”, tha Barbara Woodward, perfaqesuesja e Mbretërive të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin shumë nga dispozitat e kësaj rezolute, por kërkojnë që Hamasi të lirojë pengjet, që të respektohet e drejta humanitare ndërkombëtare, për pauzë humanitare që do të mundësojnë rrjedhjen e papenguar të ndihmave humanitare të nevojshme urgjentisht dhe për kalimin e sigurt të civilëve që ikin nga luftimet”, deklaroi Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA NE Kombet e Bashkuara.
Lufta midis Izraelit dhe Hamasit shpërtheu pasi grupi militant, Hamas, vrau rreth 1200 vetë dhe kapi rreth 240 pengje në sulmin e 7 tetorit në Izrael. Më tepër se 11,200 palestinezë, dy të tretat e tyre gra e të mitur, janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë. 2,700 të tjerë janë raportuar të humbur, ku shumica besohet të jenë varrosur nën rrënoja. /Alsat.mk