8 C
Tetovo
E mërkurë, 21 Janar, 2026
BallinaLajmeAvokati: 350 mijë eurot në mur nuk ishin të gjykatësit Gjoko Ristov,...

Avokati: 350 mijë eurot në mur nuk ishin të gjykatësit Gjoko Ristov, por të prindërve

Avokati Zvonko Davidoviq, i cili mbron gjykatësin e Apelit të Shkupit, Gjoko Ristov, i dyshuar për larje parash dhe korrupsion, thotë se 350 mijë eurot e gjetura në murin e kuzhinës nuk ishin të gjykatësit, por të prindërve të tij, në shtëpinë e të cilëve policia dhe hetuesit e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë kryer bastisje, transmeton Portalb.mk.

Avokati Davidoviq, në një deklaratë për TV24, tha se hetimi për fitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë është “juridikisht problematik” dhe se “nuk mund të zbatohet ndaj një gjyqtari”. Ai shtoi gjithashtu se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit që Ristovi të dërgohet në arrest shtëpiak.

Sipas tij, dispozita ligjore në të cilën mbështetet Prokuroria ka të bëjë me persona përgjegjës ose zyrtarë në institucione publike, ndërmarrje publike ose organe që menaxhojnë pasuri shtetërore, por se gjykatat nuk hyjnë në këtë kategori.

Davidoviq pretendon se ky formulim nuk mund të zbatohet as për gjykatës e as për prokurorë, gjë që, siç tha ai, hap një dilemë serioze juridike rreth vetë kualifikimit të veprës penale. Ai theksoi se prova kryesore që Prokuroria e thekson vazhdimisht janë 350 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e prindërve të Ristovit, por se ato mjete, sipas procesverbalit të bastisjes, janë deklaruar si para personale të tyre.

“350 mijë eurot që u gjetën te prindërit e tij, të cilët në procesverbal kanë shkruar se janë mjete të tyre personale, këtë e pranon edhe prokurorja”, tha Davidoviq.

Që nga mbrëmë, Ristovi ndodhet në arrest shtëpiak, masë që i është caktuar nga Gjykata Penale e Shkupit me propozim të Prokurorisë. Për këtë qëllim, Këshilli Gjyqësor dje, në një seancë urgjente, ia hoqi imunitetin gjyqësor kolegut të dyshuar. Ndërkaq, MPB-ja ka ngritur kallëzim penal.

Konologjia e ngjarjes

Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.

Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.

Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.

Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.

Bastisje edhe në shtëpinë e gjykatësit

Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, SDK raportoi se para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.

Me çfarë lidhet bastisja?

Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.

Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.

Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments