Shefi i Shtabit Qendror të VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit kontradiktor të deputetëve të Frontit lidhur me votimin e rezolutës për ndihmë humanitare për Gazën, e cila u procedua në Parlament.
Në një postim në rrjetet sociale, Azizi ka theksuar se nga 21 deputetët që numëron Fronti opozitar (18 + 3), vetëm pesë prej tyre votuan pro rezolutës, ndonëse ajo ishte iniciativë e tyre. Ai e cilësoi këtë veprim si manipulim të rëndë me ndjenjat e qytetarëve dhe me tragjeditë humanitare. “Edhe pse ishte iniciativë e tyre, ata vet nuk votuan! Sa të ligë, sa të pa shpirt, sa pa ndjenja njerëzore dëshmohen!”, shkruan Azizi, duke akuzuar Frontin se po përpiqet të përfitojë politikisht edhe nga gjenocidet dhe vuajtjet e popullatës palestineze.
Azizi sqaroi gjithashtu se procedurat për miratimin e një rezolute në Parlament kërkojnë dakordësi paraprake dhe koordinim mes të gjitha palëve, gjë që sipas tij nuk është respektuar nga opozita shqiptare. “Nëse iniciativa do të ishte e sinqertë dhe me qëllim për t’u miratuar, ajo do të kalonte nëpër kanalet e duhura institucionale dhe procedurale”, thekson ai.
Në fund, Azizi nënvizoi qëndrimin e palëkundur të VLEN-it. “Pavarësisht gjithçkaje, ne qëndruam në sallë dhe votuam. Ata të zullumit, ikën nga salla që mos votojnë!”, tha Azizi.