Shefi i Shtabit Qendror të VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për daljen e VLEN-it nga qeveria. Në një reagim në Facebook, Azizi i kujtoi Ahmetit se ai vetë ka qëndruar në qeveri edhe në momentet më të rënda për shqiptarët dhe sot nuk ka asnjë legjitimitet moral për të kërkuar dorëheqje nga të tjerët.
“Ali Ahmeti s’doli nga qeveria kur u vranë komandantët, e s’ka të drejtë morale daljen ta kërkojë nga të tjerët,” shkruan Azizi, duke përmendur një sërë ngjarjesh tragjike dhe të rënda, si rasti i Kumanovës, Brodecit, Sopotit, rasti “Alfa”, vrasja e vogëlushit Almir Aliu dhe shumë të tjera, për të cilat BDI, sipas tij, jo vetëm që nuk ka marrë përgjegjësi, por ka qëndruar e palëkundur në pushtet. Ai shton se Ahmeti nuk e braktisi qeverinë as kur “nënat shqiptare u tërhoqën zvarrë nga policët”, kur “u vra Komandant Shqiponja dhe Isa Lika”, dhe as kur shqiptarët në Kushtetutë u përkufizuan si “20 për qind”.
Azizi e quan Ali Ahmetin “një politikan të shterrur e të lodhur”, që sipas tij ka ndihmuar në montimin e proceseve politike ndaj shqiptarëve, ka qëndruar pas projekteve për deshqiptarizimin e Shkupit dhe ka ndihmuar në përpilimin e Enciklopedisë famëkeqe antishqiptare. “Aliu nuk iku nga pushteti kur Shkupi u deshqiptarizua me projektin mono-etnik ‘Shkupi-2014’, as kur rinia shqiptare ikte masivisht për në Perëndim. Sot, kur shqiptarët janë pjesë e qeverisë me autoritet e dinjitet të plotë, ai kërkon që ne të largohemi, vetëm që ai dhe BDI të rikthehen në pushtet”, theksoi Azizi.
Ai nënvizon se sipas logjikës së Ahmetit, shqiptarët duhet të jenë në qeveri vetëm për t’u shërbyer liderëve maqedonas dhe për të heshtur përballë padrejtësive. “Kjo është logjika e një të sëmuri ideologjik sllavo-komunist”, përfundon Azizi.