Bashkim Bakiu nga koalicioni VLEN, thotë se negociatat për formimin e Qeverisë me VMRO-DPMNE-në po shkojnë drejt finalizimit. Në një prononcim për gazetën LAJM, Bakiu tha se vendi do të ketë Qeverinë e re në 10 ditët e para të muajit të ardhshëm.
“Negociatat shkojnë në drejtimin e duhur. Një pjesë e negociatave, zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nga radhët e VLEN-it, kryetar i parlamentit shqiptar u realizua. Shpresojmë se ditëve të në vijim mandatari do ta merr mandatin dhe deri nga mesi ose 10 ditëshi i parë i muajit të ardhshëm do të rrumbullaksohet edhe çështja e emrave ose dikastereve dhe formimi I Qeverisë”, tha Bakiu për gazetën LAJM.
Lidhur me akuzat e BDI-së, se VLEN-I po shkel legjitimitetin politik të shqiptarëve duke negociuar për hyrje në Qeverinë e re pas fitur zgjedhjet, Bakiu tha se BDI-ja po përdorë ofendime të ulta ndaj 107 mijë shqiptarëve që votuan për kolaicionin e partive opozitare shqiptare.
“VLEN-i ka qenë i vetmi opsion politik i pastër shqiptar. Është nënçmim të thuash se nuk e keni legjitimitetin e votave shqiptare ku VLEN-i si koalicion mori 107 mijë vota. Pastaj kritikat që i bënin se bëjmë festa sikur serbët, mendoj se janë ofenduese nga 107 mijë shqiptarëve. Mendoj se legjitimiteti është i pastër”, tha Bakiu për gazetën LAJM.