8 C
Tetovo
E hënë, 15 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeBallkani Perëndimor në BE deri në 2029? Liberalët thonë po

Ballkani Perëndimor në BE deri në 2029? Liberalët thonë po

Partitë liberale në Evropë kanë miratuar një manifest për zgjerimin e Bashkimit Evropian, me të cilin angazhohen që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2029. Këtë e deklaroi kryetarja e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë (ALDE), Svenja Hahn, në konferencën “Ku po shkon Evropa?”, e mbajtur në Shkup, informon PressOnline.al

“Ne jemi udhëheqës në këtë agjendë si parti liberale në Parlamentin Evropian, së bashku me eurokomisionaren për zgjerim Marta Kos. Kemi një manifest për zgjerim, të cilin e publikuam natën e zgjedhjeve në vitin 2024. Angazhimi ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2029 të bëhen anëtare të BE-së dhe, në esencë, politikanët evropianë këtë angazhim e kanë marrë nga ne”, u shpreh Hahn.

Konferenca u organizua nga Partia Liberal Demokrate e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me ALDE-n dhe Parlamentin Evropian. Gjatë diskutimeve, liberal-demokratët nga Maqedonia e Veriut ngritën çështjen e vendimmarrjes në BE me shumicë të kualifikuar, për të shmangur veton e një shteti të vetëm për vendime të rëndësishme, përfshirë edhe zgjerimin.

“Kongresi në ALDE ka hapur tema shumë të rëndësishme, si ta bëjmë Evropën përsëri një forcë globale dhe si të mos lejohet më që vendimi i një vendi të ndikojë në vendimet e 26 vendeve anëtare”, deklaroi kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova.

Sipas saj, një ndryshim i tillë në mënyrën e vendimmarrjes do të ishte në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të vetë Bashkimit Evropian. “Nga një vendim i tillë do të përfitonte edhe BE-ja, pasi do të shmangej bllokimi i vendimeve të rëndësishme në proceset e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në çështje të ndjeshme si Ukraina”, theksoi Zajkova.

Edhe kryetarja e ALDE-së, Svenja Hahn, vlerësoi se ndryshimi i mënyrës së sjelljes së vendimeve brenda BE-së është i mundur, por kërkon konsensus mes vendeve anëtare.

Në konferencë foli edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili theksoi se integrimi evropian mbetet qëllim strategjik i shtetit. “Raporti i progresit i BE-së për vendin tonë e konfirmon orientimin tonë strategjik, duke i theksuar qartë edhe sfidat me të cilat përballemi. Asnjë çështje bilaterale nuk duhet ta kontestojë rrugën tonë drejt Evropës”, u shpreh Gashi.

Konferenca “Ku po shkon Evropa?” u mbajt për herë të pestë në Shkup dhe u organizua nga Rrjeti Liberal i Evropës Juglindore, me mbështetjen e Parlamentit Evropian.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments