Nga Orhan Ibrahimi
Që në themelim, BDI-ja, në strukturat e larta kadrovike të këtij subjekti parapolitik, kishte inkuadruar personalitete me të kaluar antikombëtare dhe antinjerëzore, kuadro që e kanë dëmtuar rëndë indin kombëtar. Ajo, që nga viti 2002 e këtej, në çdo cikël zgjedhor ka defiluar me koalicionime të përçudshme, me agjenda anakronike, duke sulmuar e atakuar dhe duke kultivuar amoralitetin, tradhëtinë, hajninë, vëllavrasjen, pabesinë në skenën politike brenda korpusit politik shqiptar.
Po të ishin sot gjallë Rrahman Morina, Ali Shukria dhe shumë figura të këtij lloji, jam i bindur se edhe ata do të ishin në të njëjtin koalicion me BDI-në!
Sepse edhe ata do t’ua kishin zili se deri ku ka arritur servilizmi juaj ndaj “pobratimëve”, Cërvenkovskit, Zaevit, Gruevskit, Mijallkovit etj…
Ju bëtë precedente ligjore e gjyqësore vetëm për t’i shpëtuar “pobratimat”, që ata të dilnin të lirë.
Por për ushtarët e UÇK-së, që vuajnë burgjeve pa faj, nuk bëtë asgjë, asnjë përpjekje, as edhe hapin më të vogël. Kurrë nuk guxuat të zbardhnit të vërtetën se kush i vrau komandantët e UÇK-së!
Edhe qarqet më shoviniste serbe do t’ju kishin zili për aksionet policore “Monstra”, “Kumanova”, “Alfa”, “Sopoti”… për torturat ndaj shqiptarëve të pafajshëm, për tërheqjen zvarrë të nënave e motrave tona, për dënimet drakonike në procese të montuara gjyqësore.
Madje, as Rankoviqi nuk do ta kishte imagjinuar se një “subjekt politik shqiptar” do të arrinte atë që ai, me dajak, me tortura çnjerëzore e me gjenocid, nuk ia doli ta bënte.
E këta “engjëj”, këta “atdhetarë”, në pak vite arritën të bëjnë atë që ata e kishin ëndërruar ndër shekuj: dëbimin e mijëra, mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre, duke i hedhur rrugëve të botës.
Mos u lodhni të na tregoni kush jeni, ne ju njohim më mirë se kushdo.
Ju jeni shkatërrimtarët e gjithçkaje që është e shenjtë.
Ju jeni të pangopur, me ambicie të sëmura për pushtet e para.
Dhe, mbi të gjitha, ju jeni shkatërrimtarët e aspiratave të popullit shqiptar për liri, barazi, drejtësi, demokraci dhe mirëqenie.