Të paktën 51 persona kanë humbur jetën në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e një zjarri që përfshiu një diskotekë.

Përveç viktimave autoritetet kanë bërë të ditur se janë edhe mbi 100 të lënduar të cilët po trajtohen në spital.

Pas kësaj tragjedie ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.

Begaj ka shprehur ngushëllimet në lidhje me tragjedinë e ndodhur.

“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, ka shkruar Begaj në “X”.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë vendit fqinj, derisa ka theksuar se ka mbetur pa fjalë nga kjo tragjedi.

“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarë do qoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/