Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku ka dalë me një sqarim për opinionin ku ka bërë të ditur se është keqinformim se ka ndonjë donacion për kishën në Tetovë.
“Nuk ka asnjë donacion të tillë dhe ky është një fakt i verifikueshëm. E vërteta e verifikueshme është se ka pasur një donacion për rindërtimin e një shkolle dhënë nga një firmë e regjistruar në territorin e Maqedonisë së Veriut”, ka qartësuar Qoku.
Ai ka thënë se nuk mund të anashkalohen bashkëpunimet e ngushta të BDI-stëve dhe satelitëve me struktura kriminale serbe si në rastin e Daka Davidoviqit të cilit Teuta Arifi e BDI-së, siç shton “ia shiti tokën ndërtimore Jellak-ut”.
“Daka Davidoviqi ka qenë drejtues i UDB-së serbe dhe i dekoruar me urdhrin ‘Shën Sava’ nga Kisha serbe. Për bizneset e pista si me BDI-në, DASH e përfshiu në listën e zezë, në të njëjtën listë ku janë gjysma e kryesisë e BDI-së”, thekson mes tjerash deputeti Qoku.