Universiteti i Evropës Juglindore ka përmbushur targetin e përcaktuar në aspektin e numrit të studentëve të regjistruar për këtë vit, e i cili ka tejkaluar pritshmërinë e universitetit, duke shkuar në mbi 1000 studentë të regjistruar, deklaroi rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, gjatë fjalimit të fundvitit. Bexheti tha se bazuar në këtë komponentë, Universiteti mbetet i përkushtuar që të vazhdojë me ofertat e reja akademike duke shtuar nga gjashtë njësi akademike në shtatë, sidomos për shkencat teknike. Ky trend sipas Bexhetit po ruhet tash e pesë vite edhe atë në kushte kur numri i studentëve po bie, tek UEJL ky numër po rritet bashkë me rritjen e buxhetit që ndahet nga shteti për UEJL-në e që përfundojnë për bursa të studentëve, shkruan Alsat.

“Nuk ka universitet që për pesë-gjashtë vite arrin ta ruaj nurin e studentëve nga gjenerata në gjeneratë, madje deri vitin e shkuar edhe rritje më të konsiderueshme…Aspekti i hulumtimeve shkencore dhe kontributit apo visibilitetit shkencor që ka universiteti shkaku i rritjes permanente të numrit të hulumtimeve që realizon stafi, me çka numri i projekteve shkencore ka tejkaluar kapacitetin e mundësive të UEJL-së, që gati se nuk ka staf akademik që nuk është i kyçur në një apo më tepër projekteve shkencore”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Rektor i UEJL-së./Alsat.mk