SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër T.V. (39) nga fshati Negotinë i Gostivarit, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “huadhënie me fajde”, “përdorim i dokumentit me përmbajtje të rreme”, “falsifikim dokumenti” dhe “keqpërdorim të të dhënave personale”, si dhe kundër J.D. (48) nga fshati Dobri Dol i Gostivarit dhe një personi juridik – noter nga Gostivari, për veprat penale “kryerje e pandërgjegjshme e detyrës”, “falsifikim dokumenti” dhe “keqpërdorim të të dhënave personale”.
Nga viti 2022 deri në ditën e kallëzimit, i dyshuari T.V. kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të një qytetari nga Gostivari dhe në disa raste i kishte huazuar para me një kamatë të jashtëzakonisht të lartë. Konkretisht, për një hua prej 35.000 euro, ai kishte kërkuar 15.000 euro kamatë për një vit, dhe më pas kishte kërkuar nga 3.000 euro kamatë në muaj për të njëjtin borxh. Meqë viktima nuk kishte mundësi të paguante shumën e kërkuar, T.V. e kishte detyruar përmes forcës dhe kërcënimeve të nënshkruante një kontratë për shitblerje të pronës, e cila ishte legalizuar tek një noter.
Më 27.09.2023, i dyshuari kishte përpiluar një kontratë të falsifikuar për shitblerje të një automjeti pranë një noteri, në një kohë kur viktima ndodhej jashtë shtetit. I dyshuari i dytë, si person i autorizuar i personit juridik – noteri, kishte kryer veprën penale duke mbledhur, përpunuar dhe përdorur të dhënat personale të viktimës pa pëlqimin dhe pa praninë e tij, dhe kishte legalizuar kontratën e rreme për shitjen e veturës me vlerë 1.000 euro në emër të I.A. nga Gostivari, në kohën kur viktima ishte jashtë shtetit.