Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes një mesazhi përkujtimor me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, ka theksuar rëndësinë e kësaj date për historinë dhe ndërgjegjen kolektive të qytetit.
“5 Maji është data që na fton të ulemi me përulësi përpara historisë sonë. Është dita e kujtesës, kur Tetova përkulet me respekt para bijve dhe bijave të saj që sakrifikuan për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor,” u shpreh Kasami.
Ai theksoi se trashëgimia e dëshmorëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen dhe bëri thirrje për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më humane.
“Le të jemi të denjë për gjakun e tyre,” përfundoi mesazhin kryetari i Tetovës.
“Lavdi dëshmorëve dhe popullit tonë”, përmbyllet mesazhi i tij për Ditën e Dëshmorëve.