Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shpalljes “Qytetar Nderi” për ish-kongresmenin shqiptar në SHBA, Joseph John DioGuardi dhe bashkëshorten e tij, znj. Shirley Cloyes DioGuardi, të organizuar nga Komuna e Çairit.
“Në kënaqësi dje morra pjesë në ceremoninë solemne të shpalljes ‘Qytetar Nderi’ nga komuna e Çairit për ish-kongresmenin shqiptar Joseph John DioGuardi dhe bashkëshorten e tij, znj. Shirley Cloyes DioGuardi,” shkroi Kasami në një status në rrjetet sociale.
Ai theksoi rëndësinë e veprës së DioGuardit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar si një ndër zërat më të fuqishëm të kauzës shqiptare.
“Kongresmeni shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë ndër zërat më të fuqishëm në avancimin e Çështjes Shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kontributi i tij i palodhur dhe përkushtimi i sinqertë ndaj të drejtave të shqiptarëve në Ballkan janë dëshmi e miqësisë së vërtetë dhe e përkushtimit të thellë ndaj kauzës sonë kombëtare,” theksoi Kasami.
Në fund, ai përgëzoi organizatorët për këtë akt simbolik e domethënës:
“Përgëzoj komunën e Çairit dhe kryetarin Visar Ganiu për organizimin!” – shkroi ai.