Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, njëherit edhe kandidat për një mandat, së bashku me ministrin Besar Durmishi, bartësin e listës Albi Qamili dhe drejtorin e Parkut Nacional “Mali Sharr” Evzal Elmazi, vizituan fshatrat Brodec dhe Bozovcë, ku u takuan me banorët dhe diskutuan për sfidat e përditshme me të cilat ata përballen.
Kasami theksoi se investimet e deritanishme në Malësinë e Sharrit kanë sjellë ndryshime të dukshme për jetën e qytetarëve, por puna nuk do të ndalet me kaq. Ai premtoi se kjo zonë do të mbetet në qendër të programit edhe për mandatin e ardhshëm, duke nënvizuar potencialin e jashtëzakonshëm të Malësisë për zhvillim dhe rëndësinë që ka për Tetovën dhe më gjerë.
“Malësia e Sharrit ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë prioriteti ynë!
“Vizituam Brodecin dhe Bozovcën. Atje u takuam me banorët e këtyre fshatrave, dëgjuam shqetësimet e tyre dhe biseduam hapur për sfidat me të cilat përballen çdo ditë. Investimet dhe punët që kemi realizuar gjatë këtij mandati në fshatrat e malësisë janë të dukshme dhe kanë sjellë ndryshime konkrete për jetën e qytetarëve. Por puna jonë nuk ndalet këtu. Në programin tonë për mandatin e ardhshëm, Malësia e Sharrit do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes sonë. Potenciali i kësaj zone është i jashtëzakonshëm dhe ne jemi të vendosur ta zhvillojmë edhe më tej, për t’i dhënë Malësisë vendin që meriton”, deklaroi Kasami.