8 C
Tetovo
E hënë, 1 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeBilall Kasami premton zgjidhje për nënkalimet problematike

Bilall Kasami premton zgjidhje për nënkalimet problematike

Nënkalimi në lagjen Dardania është një nga vendet më problematike në Tetovë ku bëhet fjalë për përmbytjet si pasojë e reshjeve atmosferike në këtë periudhë. Është një nga vendet i cili bllokohet çdo herë, kur ka reshje të shiut dhe nuk janë të pakta rastet kur shumë vetura janë bllokuar gjatë tentimit për të kaluar në këtë nënkalim. Premtime çdo herë kanë qenë se ky problem do të zgjidhet, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është shprehur se tashmë ka një projekt më të madh për t`i dhënë fund problemit me këtë nënkalim.

“Janë katër projekte kapitale sa i përket kanalizimeve atmosferike, ku veç më janë siguruar mjetet dhe janë zgjedhur operatorët të cilët do të realizojnë ato projekte. Një nga ato projekte është edhe kanalizimi atmosferik në lagjen Dardania, respektivisht tek nënkalimi në këtë lagje. Informacionet që i kemi, janë se është dhënë urdhëresë për të filluar punimet, janë bërë parapërgatitjet dhe unë besoj që shpejt do të fillojnë punimet aty. Por, duke parë specifikën e projektit, realizimi do të zgjasë më shumë, sepse bëhet fjalë për nënkalim dhe thellësia e kanalizimit që do të kalojë aty është mbi katër metra, prandaj edhe realizimi është më specifik”, sqaron kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Por, nuk është problem vetëm ky nënkalim gjatë periudhës me reshje të shiut. Edhe nënkalimi në rrugën për në fshatin Falisht, shpesh herë bllokohet kur ka reshje të tilla. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se me ndërtimin e kanalizimeve në disa lagje, ky problem pritet të zgjidhet. “Ajo që është me rëndësi është se edhe në këtë nënkalim edhe në nënkalimin për në fshatin Falisht, po ashtu edhe tek kazerma e qytetit, aty vazhdojnë punimet ku më shumë se gjysma e punimeve janë realizuar. Po ashtu ka filluar edhe kanalizimi nga kryqëzimi tek shkolla e mjekësisë për në rrugën e Bërvenicës, pra ky kanalizim do të kalojë përmes Teteksit dhe do të lidhet me kanalizimin në nënkalimin për në fshatin Falisht. Besoj me këto investime do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemet që ndodhin me përmbytjet në këto nënkalime”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërsa drejtori i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri, thotë se ndërmarrja do të gjejë një zgjidhje të përkohshme, pasi që në këtë pjesë janë bërë disa lidhje të jashtëligjshme që bëjnë grumbullimi e ujit, por nuk përjashton mundësinë që të vendoset edhe një pompë për të nxjerrë ujin jashtë. “Do të mundohemi ne si ndërmarrje të intervenojmë të gjejmë një zgjidhje të përkohshme sa të fillojnë punimet. Së bashku me inspektoratin është konstatuar se këndej ka disa shtëpi të lidhura në mënyrë të jashtëligjshme dhe kjo shkakton këtë mbledhje të ujit në këtë zonë. Nëse janë bërë në mënyrë ilegale do bëjmë ç’kyçen e atyre dhe nëse është e nevojshme do vendosim një pompë aty dhe deri në pranverë do gjejmë një zgjidhje të përkohshme”, tha drejtori Zeqiri.

Para një jave në këtë nënkalim vetëm për një paradite ngelën katër vetura të bllokuara nga ujë, ndërsa sa herë ka pasur të reshura të shiut, Njësia kundër zjarrit në Tetovë e ka pastruar të njëjtën. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments