Partia e qendrës së djathtë në Bullgari, GERB, i ka fituar zgjedhjet parlamentare, sipas rezultateve preliminare, mirëpo asaj do t’i dihet një partner koalicioni për të formuar Qeverinë. GERB i ka fituar 26.08 për qind të votave. Partia reformiste, Ne Vazhdojmë Ndryshimin, ka dalë e dyta me 14.76 për qind të votave. Partia ultra-nacionaliste, Ringjallja, ka dalë e treta me 13.8 për qind të votave. Zgjedhjet e së dielës, të shtatat në katër vjet, janë mbajtur si pasojë e dështimit të partive politike bullgare që të formojnë koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të 9 qershorit. Lideri i GERB-it, Bojko Borisov, ka falënderuar votuesit për mbështetjen, dhe ka thënë se partia e tij do të formojë Qeverinë e re.

“Që tani e tutje jemi angazhuar për formimin e qeverisë. Fitorja e GERB është e qartë. Nëse udhëhiqemi nga motoja ‘zëri i popullit është zëri i Zotit’ është mirë që të gjithë liderët të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe askush, përfshirë edhe neve nuk mund ta anashkalojmë rezultatin zgjedhor. Ne mund të pranojmë të bëjmë, siç kemi bërë, shumë kompromise më parë, por në asnjë mënyrë nuk do të ndryshojmë votën e votuesve. Programi ynë, për të cilin populli ka votuar, do të jetë kusht për të gjithë ata që duan të formojnë qeveri”, tha Bojko Borisov, kryetar i GERB-it.

Bullgaria është udhëhequr nga qeveri jetëshkurtra prej vitit 2020, kur protestat kanë ndihmuar në dhënien fund të koalicionit të udhëhequr nga partia GERB. Ekspertët thonë se Bullgaria ka nevojë për periudhë stabiliteti, një qeveri që funksionon si duhet, në mënyrë që të rriten fondet e Bashkimit Evropian dhe të nisin procedurat për adoptim të valutës euro. Planet për të hyrë në Eurozonë janë shtyrë dy herë, për shkak të mosarritjes së targetit për ulje të inflacionit. Shumë votues kanë thënë se shqetësohen për mundësinë e shumë pasigurive në të ardhmen. /Alsat.mk