Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, iu ka rekomanduar në raportin e tij drejtuar 27 qeverive të shteteve anëtare të BE-së që të heqin masat ndëshkuese financiare dhe politike të vendosura ndaj Kosovës vitin e kaluar, ndërsa në në të njëjtën kohë pret që qeveria e Kosovës të shmangë, siç i quan blloku evropian, veprimet “shkallëzuese” dhe “të pakoordinuara”, kur bëhet fjalë për çështjet që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës, mëson dtt-net.com nga burime të BE-së në Bruksel të njohur me raportin.
“Në thelb argumenton këtë. Dhe më pas shpreh pritjen që Kosova të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë jo-shkallëzuese dhe për të shmangur veprimet e pakoordinuara”, tha një burim i BE-së për dtt-net.com mbi raportin e “klasifikuar” të Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm (EEAS) të udhëhequr nga zyrtari i lartë spanjoll, i pyetur nëse raporti rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës të vendosura në fund të qershorit 2023.
Raporti i rekomandimit nga EEAS do të diskutohet nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel këtë javë.
Në prill të këtij viti, vendet anëtare të BE-së diskutuan për masat ndëshkuese, por ato ishin të ndara, mes heqjes së pjesshme dhe të menjëhershme të masave.
Franca dhe Italia në prill favorizuan “qasjen graduale” të kushtëzuar dhe vendet e tjera ishin në favor të heqjes së menjëhershme dhe “të pakushtëzuar” të gjitha masave.
Me propozimin e Borrelit, Komisioni Evropian (KE) para dymbëdhjetë muajve ndërmori masa ndëshkuese politike dhe financiare ndaj Kosovës, pasi që e fajësoi qeverinë e Kosovës për dërgimin më 29 Maj 2023 kryetarët e rinj të shoqëruar nga policia speciale për të marrë detyrën në katër komuna veriore me shumicë serbe, gjë që rezultoi me sulmin ndaj ushtarëve të NATO-s, policisë kosovare dhe gazetarëve nga rebelët e dhunshëm të mbështetur nga Serbia.
Më shumë se 90 ushtarë të NATO-s u Lënduan atë ditë në komunën e Zveçanit. Serbia dhe Lista e saj Serbe e Kosovës kërkonin që ndërtesat komunale të mos përdoren nga kryetarët e rinj jo-serbë.