Bartësi i listës së VLEN-it për këshilltarë komunal në Tetovë, Albi Qamili, ka njoftuar se ka marrë zyrtarisht mandatin si këshilltar në Komunën e Tetovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shprehur mirënjohje për qytetarët që i dhanë besimin për t’i përfaqësuar në Këshillin Komunal, duke theksuar angazhimin për të qenë në shërbim të interesit publik.
“Sot zyrtarisht morëm mandatin si këshilltarë në Komunën e Tetovës. Mirënjohës pafund për qytetarët që e vlerësuan programin dhe ofertën tonë dhe na dhanë besimin për t’i përfaqësuar në Këshillin Komunal.
Të gjithë këshilltarët e VLEN-it, bashkë me kryetarin e Komunës Bilall Kasami, do të jenë në shërbim të qytetarëve, duke mbajtur llogari për fjalën e dhënë dhe premtimet e bëra.
I uroj të gjithë këshilltarët e rinj edhe nga listat tjera. Presim opozitë konstruktive brenda këshillit komunal dhe bashkëpunim në të mirën e interesit publik dhe të qytetarëve”, ka shkruar Qamili.
Ndryshe, VLEN në këshillin komunal në Tetovë do të përfaqësohet nga 13 këshilltarë.

