Nga një video e kamerës së sigurisë shihet se kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, është ajo që fillon e para sulmin gjatë vizitës së sotme te ndërtimet pa leje në Komunën e Çairit. Ajo godet me shkelma një burrë, i cili më pas kundërpërgjigjet me sulm. Në prapavijë dëgjohet një zë femëror që flet me ton të lartë.
Nga pamjet duket qartë se policia reagon menjëherë dhe e ndalon burrin.
Ndërkohë, sot Arsovska akuzoi se para syve të policëve, sulmuesi e kishte goditur me shkelma dhe i kishte bërë kërcënime për përdhunim.
Ajo nuk e ka raportuar sulmin në MPB, por pas incidentit është drejtuar drejt Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, ku sot është pranuar në Qendrën Urgjente.
Lidhur me sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, gjatë vizitës në një ndërtim pa leje në Çairin e Shkupit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pasdite për televizionin Telma tha se ka pasur kontakt fizik, por se është gënjeshtër dhe tentativë e përsëritur për të manipuluar opinionin publik që të thuhet se sulmi ka ndodhur para syve të policisë.