Koalicioni VLEN ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Daut Memishit për kryetar të Komunës së Tearcës.
“Ky besim është një nder i madh për mua, e në të njëjtën kohë edhe një barrë e madhe, sepse bëhet fjalë për të marrë besimin e qytetarëve të Tearcës – komunës që për 20 vite është lënë pas dore, është zhvatur, është shkatërruar dhe është lënë në mëshirën e fatit. Tearca dhe banorët e saj nuk guxojnë të vazhdojnë të jetojnë të shkelur, pa dinjitet dhe të ndjehen si të padukshëm,” tha Memishi, duke vënë theksin në nevojën për barazi sociale, politike dhe institucionale.
Duke falënderuar Koalicionin VLEN dhe anëtarët e saj për fokusin e ri ndaj Tearcës, Memishi shprehu vendosmërinë për të rikthyer vlerat dhe dinjitetin në qeverisjen lokale.
“Koha e ndryshimit erdhi! Tearca ndodhet para kthesës së madhe drejt vlerave dhe dinjitetit! Bashkërisht do ta arrijmë këtë!” përfundoi ai mesazhin e tij.
Me kandidaturën e Daut Memishit, VLEN synon të rrisë ndikimin e saj në rajonin e Pollogut dhe të kthejë Tearcën në një model të ndryshimit të premtuar përmes qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme.