Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së ka lidhur kontratë për blerjen e targave të reja të regjistrimit dhe afisheve për regjistrimet në të cilat marka “MK” do të zëvendësohet me “NMK”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kontrata është lidhur me kompaninë “Kvantum dooel Skopje”, kurse prodhuesi i pllakave është kompania gjermane “EHA Hoffman”.
Nga MPB thonë se sipas Marrëveshjes Kornizë për prokurimin e targave të regjistrimit, është lidhur një marrëveshje porosie me operatorin ekonomik të përzgjedhur, për të cilin janë duke ecur afatet ligjore për dorëzimin e afisheve.
“Sipas vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për çmimet e formularëve të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 2 nga 03.01.2024, çmimet e afisheve do të variojnë nga 30 deri në 50 denarë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Qytetarët duhet të ndërrojnë targat e tyre më së voni deri më 12 shkurt dhe të kenë shënimin “NMK” në vend të “MK” të mëparshme, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e Prespës./Telegrafi/