Për dallim nga arsimi fillor dhe ai i mesëm, arsimi i lartë shënon rritje të numrit të studentëve. Në rrjedhë janë regjistrimet, ndërsa sipas drejtuesve të Universiteteve numri i të interesuarve krahasuar me vitin e kaluar është më i lartë. Ndër drejtimet me interesim më të madh janë Shkencat e Informatikës dhe ato të Mjekësisë.
“Në nivel të Universiteti kemi një rritje prej 2.6 për qind me të njëjtën ditë një vit më parë dhe të njëjtën ditë dy vite më parë. Pra edhe ky vit ka një rritje nga viti paraprak. Pra 24-25 gusht rezulton me një prerje prej 405 aplikantë. Ne presim më shumë se 1050 apo 1100. Për atë se cilat fakultete janë më të kërkuara, pa dyshim se prijnë shkencat informatike, më pas fakulteti i shkencave teknike dhe ndiqen mirë shumë edhe nga biznesi dhe ekonomia dhe fakulteti juridik dhe fakulteti i shkencave shëndetësore”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Rektor i UEJL-së.
Ngjashëm është edhe në Universitetin e Tetovës.
“Në momentin që flasim, numri ka arritur diku mbi 1200 aplikues, që është një numër inkurajues për administratën dhe profesorët. Normal deri në përfundim të konkursit numri do të rritet, ndërsa kemi edhe afatin e dytë dhe të tretë. Në bazë të konkursit, kemi 4752 vende të lira për studentët e ri në 13 fakultet të UT dhe në mbi 100 programe studimore të ciklit të parë dhe studeime të magjistraturës dhe të doktoraturës”, tha Jusuf Zeneli, Rektor UT-së.
Në vitin akademik 2024/25, në Universitetin e Tetovës janë paraparë 4752 vende të lira për studentët, ndërsa në Universitetin e Evropës Juglindore 1200. /Alsat.mk