Ministrja e Financave akuzoi opozitën se përhap panik dhe gënjeshtra rreth funksionimit të thesarit shtetëror dhe pagesave drejt institucioneve. Ajo tha se qëllimisht shpërndahen të pavërteta, edhe pse LSDM duhet të dijë se procedurat në thesarin shtetëror nuk janë ndryshuar që nga koha kur ata ishin në pushtet.
“Çdo institucion duhet të dorëzojë urdhërpagesat deri më datë 15-të, për të mundësuar organizimin dhe për të ndjekur pagesat deri më 31 dhjetor. Duhet të theksoj se disa procedura nuk janë vendosur nga unë si ministre, por ekzistojnë nga e kaluara. Së pari, ekziston udhëzimi që urdhërpagesat qëndrojnë në thesarin për 15 ditë për të bërë kontrolle shtesë, për të parë nëse janë në përputhje me shpenzimet, nga cilat programe dhe nënprograme vijnë, etj”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Për shkak të nevojës për kontrollime dhe rrëmujës para Vitit të Ri, u vendos ky afat për dorëzimin e urdhërpagesave. Sa i përket mbledhjes më të dobët të të ardhurave në buxhet, Ministrja tha se duhet të presim deri në fund të vitit për të parë nëse do të ketë devijime nga plani për vitin 2025.
“Para disa ditësh dëgjuam një deklaratë histerike se 60 miliardë nuk do të mblidhen. Sot, deri të premten, do të shihni që nuk është kështu. Deri tani janë mbledhur 315 miliardë denarë, duke përfshirë kalendarin tatimor siç shkon”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.(Tv21)

