Pas sulmeve amerikane në Iran më herët gjatë javës, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, raportohet se është pajtuar që t’i japë fund brenda dy javësh luftës në Gazë, sipas raportimit të mediumit “Israel Hayom”, të bazuar në burime nga biseda e Netanyahut me presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas raportimit, Trumpi dhe Netanyahu janë dakorduar në një bisedë telefonike që t’i japin fund luftës dhe që katër shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të bashkëqeverisin Rripin e Gazës në vend të Hamasit.
Liderët e grupit duhet të largohen e pengjet të lirohen.
Sipas raportimit, dakordimi përfshin edhe pikën që shumë shtete do të pranojnë refugjatë nga Gaza.
E aty theksohet po ashtu se do të zgjerohet lista e shteteve arabe dhe myslimane që e njohin Izraelin dhe që do të vendosin raporte diplomatike me të.
Pikë tjetër është edhe shprehja e përkushtimit të Izraelit për një zgjidhje “me dy shtete” me Palestinën, bazuar në reformat e Autoritetit Palestinez.
Sipas “Israel Hayom”, ka qenë presion i madh i Trumpit që Izraeli të ndalë luftën në Gaza.
Medium iqë ka raportuar për këtë çështje konsiderohet një prej gazetave më të mëdha në Izrael. Sipas Wikipedias, përshkruhet shpesh si medium me qasje politike të krahut të djathtë. Ai është themeluar më 2007.