Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të infrastrukturës njerëzore është bërë sot në Kumanovë. Shtëpia e Shëndetit Publik, nën drejtimin e Dr. Sedat Zulbearit, ka realizuar 15 punësime të reja, duke e rritur ndjeshëm kapacitetin profesional dhe operativ të këtij institucioni jetik për qytetin dhe rrethinën.
Punësimet përfshijnë staf të profilizuar dhe mbështetës, të cilët do të kontribuojnë drejtpërdrejt në ofrimin më cilësor të shërbimeve për qytetarët. Ky veprim vjen si pjesë e vizionit të ri të menaxhimit të institucionit për reformim, profesionalizim dhe hapje ndaj nevojave reale të komunitetit.
Drejtori Sedat Zulbeari theksoi se: “Për ne, qytetari është në qendër të çdo vendimi. Punësimet e sotme nuk janë vetëm numra, ato janë garanci për më shumë kujdes, më shumë praninë dhe më shumë profesionalizëm. Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po ringjallet dhe do të vazhdojmë me hapa të tjerë konkretë në këtë drejtim”.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që ky institucion shëndetësor arrin të realizojë një hap kaq të madh në aspektin e fuqizimit të kapaciteteve njerëzore. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë të përkushtuara për të barazuar qasjen në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit.