Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka reaguar pas miratimit të Buxhetit për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një nga buxhetet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai theksoi se buxheti prej 6.78 miliardë eurosh siguron stabilitet financiar dhe krijon kushte për rritje ekonomike prej mbi 3.5%, duke dëshmuar, siç tha, se politikat ekonomike të Qeverisë po japin rezultate.
Durmishi nënvizoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë me zbatimin e Planit Operativ, forcimin e mbështetjes për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe me masat që përmirësojnë kushtet ekonomike dhe tregun e punës.
Ai veçoi Ligjin për Mbështetje Financiare të Investimeve si një ndër instrumentet kryesore për vitin 2026, që do të mundësojë mbështetje më të fuqishme për kompanitë që investojnë dhe hapin vende të reja pune.
Në fund, ministri theksoi se Buxheti 2026 do të ndihmojë në zbatimin e prioriteteve dhe në përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetarët.

