Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mbajti sot fjalim në ngjarjen kushtuar trendeve demografike dhe prezantimit të programit të përbashkët pesëvjeçar të Qeverisë dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
“Njerëzit janë burimi më i rëndësishëm i një shoqërie. Njohuritë, shkathtësitë dhe kreativiteti i qytetarëve tanë janë forcë shtytëse për çdo zhvillim. Detyra jonë është ruajtja dhe avancimi i këtij kapitali”, theksoi ministri Durmishi.
Në fjalimin e tij, ai vuri në dukje se shteti po përballet me sfida serioze – ulja e natalitetit, emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë, gjë që prek drejtpërdrejt shërbimet publike dhe sistemet sociale.
Me Planin operartiv për vitin 2025, me vlerë 40 milionë euro, kemi hedhur tashmë themelet. Plani përfshin mbi 16.000 persona, nga të cilët 65% janë të rinj. Mbështesim vetëpunësimin me grante deri në 10.000 euro, trajnim dhe mentorim, si dhe programe riedukimi dhe rikualifikimi. Vëmendje të veçantë i kushtojmë gjithëpërfshirjes – grave nga zonat rurale, personave me aftësi të kufizuara, përdoruesve të ndihmës minimale të garantuar dhe grave rome”, theksoi ministri.
Ai shtoi se programi me UNFPA është vizion dhe strategji për të ardhmen – jo vetëm dokument formal, por plan me aktivitete konkrete.
“Mbështetja financiare duhet të përmirësohet me infrastrukturë, lidhje digjitale dhe mbështetje për startap-ekosistemin. Në të njëjtën kohë, duhet të vlerësojmë përvojën e punëtorëve të moshuar dhe të sigurohemi që ata të mbeten pjesë e procesit produktiv”, tha Durmishi.
Ministri shprehu falënderim për Kombet e Bashkuara, drejtoreshën rajonale të UNFPA-së Florens Bauer dhe koordinatoren e përhershme të OKB-së Rita Kolumbia për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.
“E ardhmja jonë matet në njerëz — në çdo të ri, në çdo talent, në çdo qytetar që dëshiron të krijojë këtu, në shtëpi. Ne nuk duhet t’i shohim trendet demografike si kërcënim, por si një nxitje për politikat bashkëkohore që do të forcojnë ekonominë tonë”, përfundoi ministri Durmishi.