Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, njoftoi se inflacioni në muajin mars ka rënë me -1.3% krahasuar me muajin shkurt, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas tij, kjo rënie është rezultat i masave që ka ndërmarrë ministria që ai drejton.
“Masat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës po japin rezultat. Çmimet e produkteve ushqimore bazë janë në stabilizim dhe në rënie”, shkroi Durmishi në rrjetet sociale. Në nivel vjetor, inflacioni është 2.7%.
Qeveria, me propozim të Durmishit, ka vendosur kufizimin e marzhit të fitimit për mbi 1000 produkte dhe ngrirjen e çmimeve për bukën, qumështin, vajin, miellin dhe vezët – masa që janë në fuqi deri më 30 prill.