“Sot po përfundojmë me sukses një projekt, fokusi kryesor i të cilit ishte zgjidhja e një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi si shoqëri – papunësia afatgjatë dhe varësia nga ndihma minimale e garantuar”, tha Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në fjalën e tij në aktivitetin përmbyllës të IPA projektit trevjeçar “Aktivizimi i grupeve të rrezikuara në tregun e punës” të organizuar nga Agjencia e Punësimit.
Ministri theksoi se në fillim të këtij projekti, ne vendosëm një qëllim ambicioz: t’u japim grupeve të rrezikuara mundësinë për pavarësi ekonomike, duke i përfshirë në programe të specializuara për zhvillimin e shkathtësive dhe shërbimeve.
“Përmes Programit për këshillimin dhe motivimin e personave të papunë nga kategoritë e rrezikuara, ne u ndihmuam që të tejkalojnë frikën e tyre nga risija dhe e panjohura dhe të bëjnë një hap drejt përfshirjes aktive në tregun e punës. Këshillimi dhe mbështetja mentoruese nuk ishin vetëm vegla teknike, por mbështetje e mirëfilltë, që këta persona e ndjenin si nxitje për ndryshim. Komponenti i dytë, Programi i mbështetjes së punësimit përmes trajnimeve, është çelësi drejt së ardhmes së shumë njerëzve. Në të janë përfshirë pesë masa që, ndikuan drejtpërdrejt në përmirësimin e shkathtësive dhe punësimit të qytetarëve tanë. Trajnimet e përfunduara për profesionet e kërkuara në tregun e punës, do të thonë se sot kemi më shumë njerëz të gatshëm të përfshihen në fuqinë punëtore dhe t’u përgjigjen nevojave të tregut. Këto trajnime nuk ishin vetëm mënyrë për të përvetësuar shkathtësi – ato do t’ua hapin dyert personave të papunë për mundësi të reja dhe zhvillim profesional. Trajnimi në vendin e punës ka përgatitur personat e papunë për sfidat reale në vendet e punës, ndërsa me obligimin e punëdhënësve për të punësuar të paktën 50% të njerëzve të trajnuar, ne sigurojmë që këto trajnime do të çojnë në pozicione reale të punës. Përmes punësimit të subvencionuar, personave të papunë iu dha mundësia të hyjnë në punë me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare. Ata njerëz sot kanë mundësinë të ndërtojnë karrierë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë. Nga ana tjetër, programi i praktikës profesionale jo vetëm që i ka përgatitur këta njerëz për pozicionet e ardhshme të punës, por ka forcuar lidhjen midis arsimit dhe tregut të punës. Puna praktike është element kyç në zhvillimin e çdo profesionisti. Dhe në fund, programi pilot Shansi i dytë, jo vetëm që rrit punësimin e personave të papunë, por u jep atyre edhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Në këtë mënyrë dëshmojmë se nuk është asnjëherë vonë për të investuar në vetveten dhe për të krijuar mundësi të reja, theksoi ministri Durmishi.
Sipas ministrit, Projekti ka treguar se me strategji, bashkëpunim dhe angazhim të drejtë mund të arrijmë shumë.
“Rezultatet e projektit nuk janë vetëm statistika, por njerëz që kanë marrë mbështetje, mundësi të reja dhe qasje më të lehtë në vende të punës. Besoj se mësimet e nxjerra nga ky projekt do të shërbejnë si bazë për nismat e ardhshme që do të përmirësojnë punësimin, do të rrisin punësimin dhe do të mundësojnë gjithëpërfshirjen sociale në tregun e punës”, tha ministri Durmishi.