Gjyqësori duhet të jetë i pavarur si autoritetet e tjera në vend. Ky është mesazhi që kanë dërguar gjyqtarët Isamedin Limani dhe Aleksandar Kambovski pasi në mëngjesin e sotëm kanë dhënë deklarata solemne si anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor para kryeparlamentarit Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë të shkurtër për media pas ceremonisë, Limani dhe Kambovski thanë se askush nuk duhet të ndërhyjë në gjyqësor, por nuk dhanë përgjigje konkrete në pyetjen për shpërbërjen eventuale të Këshillit Gjyqësor, për çka së bashku me Këshillin e Prokurorëve Publikë, VMRO-DPMNE e ka paralajmëruar disa herë para dhe pas zgjedhjeve.
“Nuk kam çfarë të mendoj, nuk e di çfarë propozimesh ka (për të shpërbërë Këshillin Gjyqësor). Është gjithmonë mirë që gjyqësori është i pavarur. Është një nga pushtetet në vend. Meqë organet e tjera janë të pavarura, edhe gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe të zgjidhë vetëm problemet e veta”, tha Kambovski, duke shtuar se askush nuk duhet të ndërhyjë në autoritetin gjyqësor.
I pyetur për koment për njoftimet për shpërbërjen e Këshillit, as gjyqtari Isamedin Limani nuk ka dhënë një përgjigje konkrete. Ai iu referua dispozitave ligjore dhe kushtetuese për pavarësinë e këtij organi dhe tha se nëse duhet të bëhen reforma të tjera, Kuvendi është ai që mund të ndryshojë Kushtetutën.
“Duke qenë se kushtetutbërësi – Parlamenti është ligjvënës dhe themelues, ata kanë kompetencë nëse ndryshojnë Kushtetutën sepse dihen, sipas dispozitave kushtetuese, amendamentet që janë miratuar në vitin 2006, gjyqësori është një pushtet i pavarur. Por kur mund të ndryshojë Kushtetutën, Kuvendi mund të sjellë edhe reforma të tjera si kushtetutbërës”, tha gjyqtari Limani dhe shtoi se si organ i pavarur Këshilli Gjyqësor duhet të ofrojë kushte që ajo pavarësi të jetë më transparente, dhe gjykatat të punojnë në mënyrë më efikase.
Gjyqtari suprem Isamedin Limani dhe gjyqtari nga Gjykata e Apelit në Manastir, Aleksandar Kambovski, u zgjodhën për anëtarë të Këshillit Gjyqësor më 6 qershor të këtij viti gjatë zgjedhjes për dy anëtarë të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve.
Nga radhët e gjyqtarëve suprem, Limani mori shtatë vota, ndërsa udhëheqës sipas numrit të votave të fituara në apelin e Manastirit ishte Aleksandar Kambovski me 28 vota.
Me zgjedhjen e Limanit dhe Kambovskit, dy pozitat vakante në mesin e gjyqtarëve u plotësuan saktësisht një vit pas dorëheqjes së Mirjana Radevska-Stefkova dhe Zoran Gerasimovaki, të cilët vendosën për këtë hap pas shkarkimit kontrovers të kryetares së Këshillit, Vesna Dameva.
Këshilli Gjyqësor ka 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët nga radhët e tyre.