Kryetari i Komunës së Tetovës, sot në sheshin “Iliria”, në prani të funksionarëve të VLEN-it, si dhe ish-kryetarit të Tetovës Hazbi Lika, ka vazhduar fushatën në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Kasami mori mbështetje edhe nga një numër i madh i qytetarëve, të cilët i japin mbështetje për mandatin e dytë për Tetovën. Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se “Tetova është zgjuar, është e bashkuar dhe po ecën me një zë të fuqishëm drejt fitores së madhe”.
“Sot, sërish në zemër të Tetovës, së bashku me aktivistë dhe miq nga VLEN-i, vazhduam të shpërndajmë lajmin e mirë dhe energjinë pozitive që ndjehet gjithandej në qytet. Tetova është zgjuar, është e bashkuar dhe po ecën me një zë të fuqishëm drejt fitores së madhe”.
“Pas 19 tetorit, kur treguam se sa i fortë është vullneti i qytetarëve, tani po përgatitemi që më 2 nëntor ta bëjmë këtë fitore edhe më të madhe, edhe më bindëse. Çdo takim, çdo buzëqeshje, çdo dorë e shtrirë është dëshmi se Kapitulli i Dytë i Tetovës po vjen me bashkim, me shpresë dhe me vendosmëri”, ka shkruar Kasami.
Ndryshe, Kasami në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, fitoi me dallim prej rreth 4 mijë votave, nga kundërkandidati i tij, Bajram Rexhepi, ndërsa sipas parashikimeve, Kasami në raundin e dytë pritet të fitojë me rreth 10 mijë vota dallim.


