Ajo që prej ditësh qarkullonte nëpër korridoret politike, tanimë është konfirmuar, Ziadin Sela ka braktisur përfundimisht koalicionin AKI. Deklarata e tij pas mbledhjes së kryesisë se do të veprojnë si grupim i veçantë opozitar, por me “dyert e hapura” për t’u bërë pjesë e qeverisë nëse plotësohen kushtet e tij, vetëm sa vulosi atë që ishte paralajmëruar prej kohësh. Koalicioni AKI praktikisht është këputur në mes.
Por lëvizja e Selës, duket se ka hapur një kapitull të ri, këtë herë për Arben Taravarin. Burime të sigurta për fol.mk brenda strukturave të BDI-së dhe brenda vetë grupacionit të Taravarit thonë se ai tashmë është futur në ethe politike. Arsyeja? Rreziku real që BDI të mos e mbështesë kandidatin e tij në Gostivar, Valbon Limanin.
Në kampin e BDI-së po qarkullon seriozisht ideja që, pas humbjes së shumicës së komunave, përfshirë të gjitha komunat urbane dhe pas daljes së Selës nga AKI, nuk ka më asnjë arsye strategjike që Gostivari t’i lihet Taravarit. Madje, sipas të njëjtave burime, mosarritja e censusit është parë si pasojë direkte e një koalicioni të paqëndrueshëm mes ASH dhe BDI-së, dy subjekte që për gati tetë vite kanë qenë kundërshtarë të ashpër në Gostivar.
Kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga pakënaqësitë e forta në brendinë e grupit të Taravarit, sidomos pas humbjes së tij në Saraj dhe Tearcë, dy komuna ku pritej rezultat historik. Tanimë po artikulohet haptas skenari që BDI të dalë me kandidat të vetin për Gostivarin e 11 janarit, duke e nxjerrë Taravarin jashtë loje.
E gjithë kjo merr edhe një dimension tjetër, zërat që qarkullojnë se ekziston një marrëveshje midis qeverisë dhe Valbon Limanit. Sipas tyre, nëse Limani fiton, ai do të shpëtohet nga “ombrella politike” e Taravarit dhe mund të bëhet pjesë e VLEN-it, duke ia faturuar Taravarit gabimin strategjik të bashkimit me BDI-në dhe Ali Ahmetin.
Në këtë panoramë të çrregullt, një gjë është e qartë:
Arben Taravari po ecën me të njëjtën shpejtësi drejt rrugës që mori Ziadin Sela, rrugë që çon drejt shpërbërjes së aleancës, braktisjes së strukturave dhe humbjes së kontrollit politik.
A do të ringrihet ndonjëherë “aleanca e bashkuar”?
A do të ketë rreshtim të deputetëve tek trungu i vetëm opozitar që nuk devijoi nga misioni i ndryshimit?
Përgjigjet do t’i japë 11 janari, dita kur Gostivari jo vetëm voton, por zbardh edhe të vërtetën e aleancave që u shuan para kohe.

