Institucioni Nacional Galeria e Arteve Tetovë sjell ekspozitën retrospektive të piktorit dhe profesorit universitar, Reshat Ameti, “35 Vjet Art”. Hapja solemne e ekspozitës do të
bëhet me 21 maj, ora 20:00, dhe përfshin një përzgjedhje të veprave që përmbledhin karrierën e tij të pasur, të ndërtuar përmes një qasjeje unike ndaj abstraksionit, gjeometrizmit dhe koloristikës.
Ekspozita, kuruar nga Besa Daotti, është një reflektim i përpjekjeve të Ametit për të krijuar një dialog të fuqishëm ndërmjet artit dhe shpirtit të shikuesit. Sipas Daottit, kjo ekspozitë nuk është vetëm një pasqyrë e rrugëtimit artistik të Ametit, por edhe një përshkrim i përpjekjes së tij për të ndërtuar një identitet të qëndrueshëm artistik brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë.
Në një analizë të thellë të artit të Ametit, shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka theksuar ndjesinë e lirisë dhe gërshetimin e formave gjeometrike me një frymë poetike si tipare kryesore të krijimtarisë së tij. “Ata që e njohin disi dramën e Gadishullit Ballkanik, e kapin menjëherë se ky piktor ka qenë i etur për liri. Ai ka dalë nga një ëndërr, nga një vokacion i lirisë,” shprehet Kadare, duke nënvizuar se arti i Ametit përçon ndjesinë e një universi të pafund dhe të mbushur me kontraste dramatike.
Kritiku i artit Mixhait Pollozhani e konsideron dritën si një element kyç në veprat e Ametit, duke vënë në dukje funksionin e saj simbolik dhe kontemplativ. Ai thekson se në krijimtarinë e tij, drita nuk është vetëm një element teknik, por një mjet që ndërton shtresëzime emocionale dhe narrative, duke u shndërruar në një “fetish artistik” që formëson përmbajtjen estetike dhe filozofike të pikturës.
Ndërkohë, Ana Frangoska-Stojanovska dhe Iva Kërbler, historiane të artit, vlerësojnë stilistikën gjeometrike të Ametit si një variant autentik të abstraksionit lirik. Sipas tyre, përmes dritës dhe ngjyrës, artisti krijon një univers që lëviz ndërmjet realitetit të prekshëm dhe një dimensioni metafizik, ku gjeometria bëhet po aq ekspresive sa dhe poetike.
Ekspozita “35 Vjet Art” përfaqëson një pikë kulminante në karrierën e Ametit, ku përmes një retrospektive të plotë, shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin evolucionin artistik të një prej piktorëve më të veçantë shqiptarë të shekullit XXI.