8 C
Tetovo
E premte, 16 Janar, 2026
BallinaLajmeElmazi: Parku Kombëtar Mali Sharr ndalon ratrakët ilegalë në Kodrën e Diellit,...

Elmazi: Parku Kombëtar Mali Sharr ndalon ratrakët ilegalë në Kodrën e Diellit, rasti raportohet në MPB

Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, Evzal Elmazi, së bashku me drejtuesit e Departamentit për Mbrojtjen e Natyrës dhe shërbimin e renxherëve, realizuan kontrolle të zgjeruara në terren në zonën e Kodrës së Diellit, me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe mbrojtjen e vlerave natyrore të parkut, përcjell Fol

Gjatë kontrolleve, në pronë shtetërore u konstatuan aktivitete skiimi me pesë makina ratrak nga një operator që nuk kishte lidhur kontratë apo marrëveshje me institucionin, siç parashikohet me Vendimin për regjimin e lëvizjes me automjete në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e Menaxhimit të parkut.

Si rezultat i drejtpërdrejtë i kontrolleve, u morën masa të menjëhershme për ndalimin e lëvizjes së ratrakëve të operatorëve që nuk plotësonin kushtet ligjore, respektivisht atyre pa kontratë për ushtrimin e aktivitetit turistik brenda parkut.

Institucioni njofton se gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, punonjësit janë penguar nga operatori përmes lëvizjes së ratrakëve, duke pamundësuar zbatimin e detyrave të përcaktuara me nenin 112 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Sipas njoftimit, veprimet jolegjitime kanë krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e punonjësve, si dhe kanë dëmtuar funksionimin normal institucional. Rasti do të raportohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Inspektoratin Shtetëror për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor.

Nga Parku Kombëtar Mali Sharr rikujtojnë se aktiviteti i skiimit me ratrak lejohet vetëm në zonat e përcaktuara për menaxhim aktiv, jashtë zonave me mbrojtje të rreptë, dhe vetëm në përputhje të plotë me kushtet ligjore dhe kontraktuale.

Sipas institucionit, marrëdhëniet kontraktuale vendosin një regjim të qartë lëvizjeje, mbikëqyrjeje dhe përgjegjësie për operatorët, me synim kufizimin e ndikimit të aktiviteteve të motorizuara mbi habitatet e ndjeshme, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ekuilibrit ekologjik.

Shërbimi i renxherëve do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara në terren, ndërsa për çdo shkelje të konstatuar do të merren masa ligjore, në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e natyrës. Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar ndaj menaxhimit të qëndrueshëm, zhvillimit të turizmit të përgjegjshëm dhe ruajtjes së vlerave natyrore të Parkut Kombëtar Mali Sharr./Fol.mk/

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments