Që nga shpallja e një pjese të Malit Sharr për Park kombëtar, banorët që jetojnë në brezin kufitar të këtij parku po përballen me probleme, sidomos në aspektin e prerjes së drunjve për ngrohje. Probleme më shumë kanë banorët me dokumentet e pronësisë. Për shkak të mos rregullimit të dokumenteve të pronësisë së tyre, ata shpesh herë hasin në procedura të gjata që e vështirëson marrjen e lejes për prerje të drunjve për ngrohje. Me këta probleme përballen kryesisht banorët të cilët si lëndë të parë për ngrohje e përdorin drurin. Nga Parku Kombëtar Mali Sharr, thonë se mundohen që t`ju dalin në ndihmë banorëve që kanë nevojë për të prerë dru për ngrohje. Në këtë drejtim, nga ky institucion thonë dukshëm kanë rënë aktivitetet ilegale të prerjes së drunjve.
“Ka probleme në aspektin e dokumentacioneve, ku pronat në të cilët parashtrohet kërkesa për prerje të drunjve nuk janë në emër të tyre. Kemi arritur t`i menaxhojmë, jam angazhuar edhe vet që t`ju dalë në ndihmë atyre banorëve. Këtë vit vjen duke u zvogëluar edhe sasia e prerjes së drunjve për ngrohje sepse qytetarët kanë filluar të shfrytëzojnë edhe metoda tjera alternative për ngrohje. Në periudhën që vjen, do të përpilojmë edhe katër tjera për menaxhim të parkut kombëtar përmes UNEP-it dhe me ato plane besojmë se do të plotësohen nevojat e banorëve që jetojnë në ato zona. Kemi nënshkruar memorandum edhe me inspektoratin e pylltarisë dhe gjuetisë dhe shpresojmë se në të ardhmen në nuk do të ketë problem për sa i përket nevojave të banorëve për prerje të drunjve”, deklaroi Evzal Elmazi, drejtor i Parku Kombëtar Mali Sharr.
Problem në vete paraqesin edhe deponitë e egra në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr. Edhe pse ka pasur iniciativa për pastrimin e tyre, megjithatë kohë pas kohe shfaqen deponi të reja. Nga Parku Kombëtar thonë se punohet që këto deponi të pastrohen dhe mos lejohet krijimi i deponive të reja.
“Deponitë e egra janë një problem ku patjetër duhet të involvohen pushtetet lokale. Fatkeqësisht janë pamje shumë e keqe ndaj turistëve, sidomos ndaj turistëve të huaj. Do të kisha përmendur si shembull për të mirë rastin e Komunës së Bogovinës, ku kryetari ka pastruar një deponi nga Bogovina për fshatin Novo Sellë dhe efektet kanë qenë të menjëhershme sepse kemi marrë shumë mirënjohje nga turistët e huaj, sepse deponia jepte një pasqyrë të keqe. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me Komunën e Tetovës dhe shpresoj se në të ardhmen do të punohet që këta deponi të pastrohen dhe banorëve të viseve malore t`ju gjendet një alternativë ku do të hidhen mbeturinat sidomos gjatë sezonit dimëror pasi që kompania që bën grumbullimin e mbeturinave nuk arrin të marrë mbeturinat shkaku i kushteve klimatike”, deklaroi drejtori Elmazi.
Drejtori Elmazi ka dhënë garanci se në territorin e Parkut Kombëtar nuk do të tolerohet ndërtimi i asnjë hidrocentrali të vogël. (koha.mk)

