Pas zhvillimeve të fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, ku kryetari i saj, Arben Taravari, së bashku me një grup të mbështetësve, vendosi të largohet nga koalicioni “VLEN” dhe qeveria, për t’u rreshtuar në opozitë përkrah BDI-së, shumica e strukturave të partisë janë distancuar nga kjo lëvizje. Sipas burimeve të besueshme brenda ASH-së, ky vendim i Taravarit është konsideruar si jashtë kornizave statutare të partisë, dhe nuk reflekton vullnetin e shumicës së anëtarësisë dhe organeve vendimmarrëse.
Grupi më i madh brenda ASH-së tashmë ka konfirmuar përkushtimin për të respektuar vendimin e Kuvendit të partisë, që parasheh pjesëmarrjen në qeveri dhe koalicionin me “VLEN”. Kjo qasje synon të ruajë stabilitetin institucional dhe të kontribuojë në përmbushjen e marrëveshjes programore të dakorduar me partnerët qeveritarë.
Në këtë kontekst, janë duke u plotësuar pozicionet që kanë mbetur vakante si pasojë e dorëheqjeve të disa funksionarëve që kanë zgjedhur të ndjekin Arben Taravarin.
Jozyrtarisht, mësohet se Azir Aliu është propozuar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, në vend të vetë Taravarit. Po ashtu, Albrim Hoxha nga Dega e Strugës, një nga zërat kritikë ndaj afrimtarëve me BDI-në, është propozuar për një nga postet udhëheqëse në Ministrinë e Bujqësisë.
Gjithashtu, burimet tona bëjnë të ditur se pritet që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të formalizohen edhe disa emra të tjerë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, të cilët do të përfaqësojnë koalicionin “VLEN” në ekzekutiv.
Këto zhvillime dëshmojnë një orientim të qartë të ASH-së drejt forcimit të rolit të saj në qeverisje dhe ruajtjes së kohezionit të brendshëm, në funksion të interesit qytetar dhe stabilitetit politik.