Me këtë episod hapim një rubrikë të re javore në FOL.mk: “Flokë e Politikë” , një serial satirik që sjell zërin e rrugës, muhabetin e berberisë, thashethemet e taksisë dhe analizat cinike të gazetarit lokal. Politika shqiptare në Maqedoni, e servuar me humor, ironi dhe pak nostalgji për kohë më të sinqerta.
Episodi 1: “Asfalti i natës dhe mbledhja e Doktorit”
(Ambient: Berberia e Dajës Ilmi – mbrëmje e vonë. Në sfond dëgjohen makinat e asfaltit që punojnë. Pluhur, zhurmë dhe era e briskut. Televizori i vjetër në qoshe jep lajmet lokale.)
Mali (duke hyrë me nxitim, me çantën e laptopit )
Mali:
Dajë, shpejt! Më rregullo pak flokët! Kam mbledhje urgjente!
Sonte vendoset e ardhmja e kombit… a me Aliun, a vet, a me mbet me derivatet e BDI-së!
Daja Ilmi (me ironi, duke mprehur briskun):
Eee… Doktori prap me dilema?!
Kur u nda prej Ziadinit çka thoshte?
“Asnjëherë me BDI-në!”
Tash? Me Aliun nën një çadër?
Hajde more… Po politika është si brisk… të pret në dy anë!
Mali (duke qeshur nervoz, kontrollon flokët në pasqyrë):
Për portal është kjo… skandal lokal me pasoja kombëtare!
Të bëjmë titullin: “Nga bojkoti te bashkimi – rruga dramatike e Doktorit!”
Mali (duke e ngacmuar Dajën Ilmi):
Dajë… me duket se Billy është duke t’a kthyer edhe ty mendjen…
E sheh? Edhe natën po vë asfalt!
Daja Ilmi (duke qeshur me sarkazëm):
Lëre Billy-n!
Shko, mos të t’hiqet doktori prej duarve… se nesër do më vish prap me ankesa!
(Teksa Mali del me flokët gjysmë të rregulluara, në derë takon Xhafer Taksistin, i cili po kollitet nga tymi i duhanit dhe fshin pluhurin nga këpucët.)
Xhaferi (me ton prej taksisti veteran):
Hë Mali… ku po ndjek skandalin kësaj radhe?
A po shkon te mbledhja e Doktorit, a?
Me pa a ka me bë “bashkim kombëtar” me Aliun?!
Mali (duke ecur me nxitim):
Po po, mos më vono… duhet me kap momentin LIVE!
(Mali largohet. Xhaferi futet në berberi, tund kokën dhe fryn tym.)
Daja Ilmi (i habitur, me buzëqeshje të lodhur):
Ku paska cof ky ujk?!
Xhafer, qysh je? Shumë kohë pa u pa!
Xhaferi:
Eh… Dajë, s’po e kam luksin e berberit…
Veç me pluhur të rrugës jam bërë!
Billy s’më lejoi të afrohem me veturë… e kam lanë Golf-in larg…
Po vë asfalt si me qenë zgjedhje nesër!
Shifje… edhe nata u bë ditë prej dritave!
Daja Ilmi:
Po kështu është… edhe Tito s’e kishte shkel këtë lagje me asfalt…
Po Billy… po na bën Evropë me zor!
Xhaferi (duke ndezur edhe një cigare):
Eee… s’po them jo… por edhe ne prej Gostivarit…
Doktori na la rrugëve!
Po le që na la… po edhe komunën ia la këtij doktorit tjetër…
Sidoqoftë… ai tjetri të paktën ka pak edukatë!
Daja Ilmi:
Po ju çka? Kush po del kundër Billy-t te Tetova?
A guxon njeri me dalë?
Xhaferi:
A te Alia?
Çka po bëjnë?
A ka kandidat BDI-ja?
Daja Ilmi:
U ka hi frika…
Po flitet për njëfarë Bajrami… po më duket më shumë si kurban sesa kandidat!
Xhaferi:
Bajrami?! Kush është ai bre dajë?
Daja Ilmi:
As vet nuk e di…
Po mduket vetëm për të mos mbet pa emër në fletëvotim po e nxjerrin!
(Hyn Shpëtimi, me fytyrë të lodhur, sytë e skuqur dhe ecje të rëndë. Përsërit fjalët si me helm.)
Shpëtimi:
Hajde axha Xhafer…
Po ikim…
Na iku edhe kjo natë pa ujë, pa kafe, pa shpresë…
Mbledhje katastrofë…
Ka mbet partia si çajtore muhalle…
Veç Kangallat i kanë mbet për rreth doktorit…
Na mësoi doktori politikë me Netflix e na la me borxhe!
Daja Ilmi (duke qeshur, duke i shikuar të dy me një sy të mprehtë berberi):
Hajt rrugë të mbarë burra…
Kur t’u bjerë udha… ejani ta shifni dajën…
Se Daja s’ua mbyll derën… siç ua kanë mbyll ata që po i ndiqni!
(Xhaferi dhe Shpëtimi largohen me Golf-in e vjetër. Mali shihet larg duke bërë “live” për portalin e tij. Zhurma e makinave të asfaltit vazhdon, ndërsa në televizor dëgjohet një kronikë: “Faturat e mbeturinave në hava, në Tetovë – në prag të zgjedhjeve lokale…”)
Paralajmërim për Episodin 2:
“Gostivari – Doktori, dyert e mbyllura dhe shpresa e Shpëtimit”
(Në episodin tjetër:)
Gostivari bëhet qendra e krizës politike.
Daja Ilmi, Xhaferi dhe Mali analizojnë “rënien e Doktorit”,
lëvizjet e BDI-së dhe thashethemet për një kandidat që mund të dalë nga Debreshi…!
Ky serial është vepër satirike. Ngjarjet dhe personazhet janë produkt i imagjinatës dhe humorit popullor. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është tërësisht rastësore… ose thjesht e paqëllimshme!