Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka kërkuar nga SHBA-ja që të mbajë një qëndrim kundër Izraelit, duke i bërë thirrje Washingtonit që të pozicionohet kundër sulmeve të Tel Avivit ndaj Gazës dhe Libanit, në vend që ta mbështesë atë, raporton Anadolu.
“SHBA-ja duhet ta shprehë qartë qëndrimin e saj këtu dhe të zë vendin e saj duke kundërshtuar Izraeli dhe jo në anën e tij”, u tha presidenti Erdogan gazetarëve pas fjalimit të tij dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
SHBA-ja vazhdimisht është përballur me kritika për mbështetjen e saj për Izraelin lidhur me sulmet ndaj Gazës, që kanë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë.
I pyetur për mesazhet në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Erdogan theksoi se u qëndron fjalëve të tij.
Presidenti turk gjithashtu përsëriti se vendi i tij nuk e miraton neutralitetin gjinor, në vend të kësaj kërkoi një veprim kolektiv për të “përqafuar strukturën e shenjtë të familjes”.
Ai gjithashtu tha se nuk ka pasur “asnjë përparim” me SHBA-në për kthimin e Turqisë në programin e avionëve luftarak F-35, një pengesë prej kohësh në marrëdhëniet Turqi-SHBA.
Gjatë adresimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Erdogan kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të ndalojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, siç bëri gjenerata më parë me diktatorin nazist Adolf Hitler.
“Qëndrimi i Izraelit edhe një herë ka treguar se është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të zhvillojë një mekanizëm mbrojtës për civilët palestinezë”, tha Erdogan në fjalimin e tij.
“Ashtu si u ndalua Hitleri nga aleanca e njerëzimit 70 vjet më parë, (tani) Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjeve duhet të ndalen nga aleanca e njerëzimit”, shtoi ai.