EVN Home si Furnizuesi Universal i energjisë elektrike, në tenderin për prokurim të energjisë elektrike për plotësimin e nevojave të konsumatorëve për periudhën korrik-dhjetor 2024 pranoi ofertën e EMV-së, ndërsa refuzoi disa oferta të kompanive për shkak të çmimit shumë të lartë.
“Për 85% të nevojave të Furnizuesit Universal, EVN Home pranoi vetëm një ofertë, edhe atë nga SHA EMV me çmim të shitblerjes prej 60 euro për megavat-orë, ndërsa për 15% të nevojave të Furnizuesit Universal, EVN Home pranoi tre oferta nga kompanitë Duferco MK, EMV Shitje dhe Sole24, me çmime të ofruara që ishin rreth dy herë e gjysmë më të larta në raport me çmimin e ofruar nga SHA EMV për 85% të nevojave.
Bordi Drejtues i EVN Home mori vendim që ta pranojë ofertën e SHA EMV për 85% të nevojave, ndërsa për nevojat e mbetura prej 15%, ofertat e kompanive nuk u pranuan nga ana e EVN Home për shkak të çmimeve dukshëm më të larta në krahasim me ato të tregut për momentin.
Si rezultat i procedurës së tenderit të zhvilluar së fundi, nga 1 korriku 2024, EVN vazhdon të furnizojë me energji elektrike amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Kontrata me Qeverinë për sigurimin e shërbimit universal është nënshkruar më 18.06.2024, pas së cilës vijon procesi i licencimit në Komisionin Rregullator për Energjetikë.
Ky proces, i cili është i nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, paraqet një sfidë të madhe, për shkak të periudhës së shkurtër deri në përfundimin e vlefshmërisë së licencës ekzistuese, si dhe pyetjeve të hapura lidhur me mënyrën e qasjes për zgjatjen e licencës për periudhën e 5 viteve në vijim”, thuhet në njoftimin e EVN Home.
Nga atje theksojnë se nën monitorim të plotë të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe metodologjisë paraprakisht të përcaktuar, në periudhën në vijim EVN Home do ta përllogarisë çmimin e energjisë elektrike sipas parametrave hyrëse të paracaktuara.
Si gjithmonë, në çmimin përfundimtar hyjnë: çmimi me të cilin SHA EMV ia shet energjinë elektrike EVN Home-it, çmimi i Sistemit Operator Përçues MEPSO, çmimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO, si dhe çmimi i Sistemit Operator Distributiv – Elektrodistribuimi.