Në tubimin e mbajtur sonte në Kërçovë, kandidati dhe kryetari aktual i komunës, Fatmir Dehari, foli për arritjet e deritanishme dhe për planet ambicioze për periudhën 2025-2029.
Dehari theksoi se përparimet e bëra në infrastrukturë dhe shërbime janë rezultat i punës së përkushtuar dhe profesionalizmit.
“Në Kërçovë, nga sheshi kryesor, bulevardet, rrugët, shkollat, trotuaret, urat e deri te transparenca financiare dhe mbështetja për sportin, çdo gjë dëshmon për një udhëheqje që punon.”, theksoi Dehari, njofton TS.
Ai prezantoi synimet për të përfunduar rrjetin e kanalizimit, përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, zhvillimin e zonave industriale, ndërtimin e qendrës multifunksionale rinore dhe sportive, si dhe përkrahjen për studentët dhe sportistët lokalë.
“Ne nuk ndajmë, ne bashkojmë,” u shpreh Dehari, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe respektit mes komuniteteve që jetojnë në Kërçovë. Ai theksoi se qyteti është më i fortë kur banorët janë të bashkuar dhe punojnë për një të ardhme të përbashkët.
Tubimi mblodhi shumë qytetarë dhe mbështetës, duke nxitur optimizëm për vazhdimësinë e zhvillimit të komunës nën udhëheqjen e Fatmir Deharit.